Sport

Gattuso rrezikon stolin


Trajneri i Napoli-t, Gennaro Gattuso, pas humbjes me Hellas Verona-n rrezikon jo pak stolin, në rast dështimi ndeshjet e ardhshme. Ndeshja e radhës do të jetë përballë Spezia-s në Kupën e Italisë, ditën e mërkurë. Spezia është dhe një nga ekipet që e kanë mundur Napoli-n këtë sezon në Serinë A.

Napoli po rrezikon jo pak në Serine A, duke u renditur në vendin e gjashtë me 34 pikë. Nëntë pikë më pak se Milan-i kryesues (Napoli ka një ndeshje më pak, atë përballë Juventus-it).

Gattuso është në krye të Napoli-t që nga dhjetori i 2019 dhe ka një kontratë deri në korrikun e 2021. Në total deri më tani i ka udhëhequr napoletanët në 56 ndeshje. Ka arritur 32 fitore, shtatë barazime dhe 17 humbje. Me një mesatare prej 1.84 pikë për ndeshje. Me Gattuso-n në krye, Napoli arriti të fitoi Kupën e Italisë sezonin e shkuar, në përballje me Juventus-in.

Emri që qarkullon më shumë në mediat italiane si zëvendësuesi i Gattuso-s është ai i Rafael Benitez-it. Spanjolli ka qenë dhe më herët trajner i Napoli-t, përgjatë viteve 2013-2015./ AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore