Sport

Gasperini: Atalanta ime nuk mund të synojë fitimin e titullit kampion


Atalanta vazhdon të jetë një ekip i fortë në Serie A, të cilët aktualisht gjenden në vendin e dytë në tabelë me 24 pikë, dy më pak se lideri Napoli.

Pavarësisht startit të mirë të ekipit nga Bergamo, trajneri i tyre mendon se ekipi i tij nuk ka forcën e duhur për të konkurruar për titull kampion.

Gian Piero Gasperini vuri në dukje një ndryshim, kur theksoi pse Atalanta nuk mund të mendojë realisht për fitimin e titullit në këtë sezon.

Duke folur për “Radio Rai 1”, Gasperini fillimisht diskutoi nëse ai do të jetë në gjendje ta sjellë Atalanta-n e tij në formë të lartë përpara pushimit të Kupës së Botës.

“Disa thonë se Atalanta ka ndryshuar lëkurën e saj, por duhet të them se skuadra ka ndryshuar shumë. Disa lojtarë janë larguar, kurse disa të tjerë ende nuk janë paraqitur në këtë sezon”, theksoi trajneri 64-vjeçar.

“Unë mendoj dhe shpresoj që me kalimin e kohës kjo skuadër mund të rritet në aspektin e lojës si në të kaluarën e afërt”, shtoi trajneri italian.

“Është e vështirë të kemi rezultate më të mira nga sa kemi pasur, por përfshirja e këtyre të rinjve na jep shpresë se kjo skuadër ka më shumë cilësi për t’u shprehur”.

Ai nënvizoi ambiciet e skuadrës për të fituar Kupën e Italisë këtë sezon, derisa tha se shanset do të jenë të vogla për ta fituar titullin kampion.

“Është e qartë se Kupa e Italisë është trofeu që duam ta arrijmë. Nuk është se ne e kemi për synim ta fitojmë Scudetto-n”.

“Në të kaluarën kemi shkuar dy herë deri në finale të Kupës, por nuk arritëm të triumfojmë. Tani do të synojmë të përkushtohemi më shumë në këtë garë”,

64-vjeçari më pas diskutoi se për cilin moment të sezonit është më i shqetësuar.

“Ky vit është i çuditshëm për shkak të Kupës së Botës. Kam ndjesinë se të gjithë po i interpretojnë këto pesë ndeshjet e fundit si një finale kupe. Të gjithë duan të arrijnë pozicionin më të mirë dhe më pas të fillojnë mirë në janar”, tha trajneri i Atalanta-s

Së fundi, Gasperini diskutoi nëse Atalanta do të ishte në garën për titull këtë sezon.

“Bota e futbollit shtyn në drejtime të tjera, drejt skuadrave me më shumë ndjekës, që duket se është kërkesa e parë për të konkurruar”.

“Ne nuk mund të themi, me burimet tona, se po luftojmë për Scudetto-n. Ky është realiteti që duhet të kemi parasysh. Do të synojmë Kupën e Italisë. Për sa më përket mua, arritja në Ligën e Kampionëve për tre vjet do të thotë se i kemi ndezur të gjitha dritat”, tha mes tjerash Gasperini.

Kujtojmë që Gasperini është në krye të Atalanta-s që nga qershori i vitit 2016. Deri më tani ai ka drejtuar klubin italian në 301 ndeshje në të gjitha garat, prej të cilave numëron 156 fitore, 77 barazime dhe 68 humbje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore