Lajme

Gashi ua kujton deputetëve deklaratat e Kurtit sa ishte në opozitë: Sot e ka treshifruar çmimin e rrymës


Shefi i grupit parlamentar nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi.

Shefi i grupit parlamentar nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, në seancën e Kuvendit të Kosovës, ka bërë krahasimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sa ishte në opozitë dhe sa është tani në pushtet.

Gashi, ka kujtuar se në vitin 2015, Kurti bënte thirrje për të kundërshtuar çmimin e energjisë.

E aktualisht sipas tij, çmimi i energjisë është trefishuar.

“Në prill të vitit 2015, Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin kishin thirrur një protestë në qendër të Prishtinës, për ta kundërshtuar rritjen e çmimeve të energjisë elektrike. Sot, çmimi i energjisë elektrike është trefishi i asaj që ka qenë”.

“Në fushatën e vitit 2019, Kurti kishte deklaruar, “ne do ta synojmë uljen e energjisë elektrike, sepse është shumë e shtrenjtë kur rrimë mbi energjinë që kemi”, ka dashur të thotë ‘thëngjill’, por ka thënë ‘energji”.

Ai tutje ka thënë se viti 2022, e theu rekordin e “së keqes”, sa i përket pjesës së energjisë.

“Në vitin 2015, Kurti deklaronte se “Zyra e Rregullatorit të Energjisë deri tani ka qenë zyre e kontabilitetit private, ZRRE-ja duhet të mbrojë interesin e qytetarëve me mos rritje të çmimeve”, ndërsa në vitin 2022, qeveria e udhëhequr nga Kurti ia aprovon ZRRE-së shtrenjtimin e energjisë dhe ia jep 75 milionë euro nga taksat e qytetarëve për subvencionimin e energjisë elektrike për Veri”.

“Në verën e 2022, Qeveria Kurti, e theu rekordin e të keqes në pik të verës i nis reduktimet e rrymës, si rezultat i paaftësisë. Ndoshta, edhe pak një lloj koordinimi i vjedhjes me Martin Berishajn”.

Ndërsa, potencoi edhe rastin e Martin Berishajt.

“Më vonë na del në skenë, skandali Berishaj, i njëjti tërhoqi 1.4 milionë euro kesh dhe kur Prokuroria e Kosovës, nuk e pyet se nga erdhën apo nga shkuan”.

Përmes një draft-rezolute, tri partitë opozitare në Kosovë kanë kërkuar uljen e tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët në Kosovë.

Tarifat e fundit të energjisë janë miratuar prillin e vitit 2023.

Për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovate në orë brenda një muaji, çmimi gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovate, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.

Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovate dhe 6.81 centë për atë që shpenzojnë më shumë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore