Lajme

Fundi i luftës 20 vjeçare


Ilustrim

Fluturimi i fundit i forcave amerikane nga aeroporti i Kabulit të hënën në mbrëmje shënon fundin e luftës më të gjatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas plot 20 vjetësh.

Talibanët morën kontrollin e plotë të aeroportit ndërkombëtar të Kabulit pasi avioni i fundit amerikan u largua nga pista e tij.

Talebanët pas tërheqjes së trupave amerikanë kanë arritur të konfiskojnë pajisje ushtarake me vlerë deri në 85 miliardë dollar.

Pajisjet ushtarake tashmë në duart e talebanëve përfshinë pajisje identifikimi e gjurmimi, mbi qindra avionë dhe helikopterë taktikë, dhjetëra mijëra automjete të blinduara, si dhe qindra mijëra armë.

Kongresmeni republikan Jim Banks – i cili shërbeu në Afganistan si oficer i ngarkuar me furnizimin me armë – thotë se grupi tani ka “më shumë helikopterë Black Hawk se 85 përqind e vendeve në botë”.

“Për shkak të neglizhencës së kësaj administrate, talebanët tani kanë qasje në 85 miliardë dollarë pajisje ushtarake. Në mënyrë të pabesueshme dhe të pakuptueshme për mua dhe për shumë të tjerë, talebanët tani kanë qasje në pajisje biometrike”, tha ai.

Si u prit tërheqja nga ana e Talebanëve?

Talibanët e festuan me të shtëna me armë tërheqjen e plotë të SHBA-ve.

“Ne kemi shkruar sërish histori”, tha një zëdhënës i lartë i talibanëve, Anas Hakkani në twitter.

Hakkani shkroi se është “shumë i lumtur pas 20 vitesh xhihad, sakrifikime dhe mjerimi të përjetojë këtë moment historik”.

Kurse zëdhënësi i talibanëve, Sabiullah Mudxhahid shkroi në twitter, se vendi i tij ka arritur pavarësinë e plotë.

Zëdhënës i lartë i talibanëve, Anas Hakkani

Fillimi i tërheqjes së forcave të huaja nga Afganistani

Që nga muaji maj, kur filloi tërheqja e forcave të huaja, talibanët përmes një fushate të shpejt e morën kontrollin e Afganistanit. Qeveria e njohur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara humbi pushtetin, ndërsa presidenti Ashraf Ghani u largua nga vendi.

Që prej se nisi operacionet e evakuimit më 14 gusht, SHBA-ja ka evakuuar mbi 5 mijë e 500 qytetarë amerikanë, si dhe mbi 122 mijë qytetarë afganë.

Evakuimi përfundimtar i forcave të SHBA-së, atyre të vendeve aleate dhe civilëve afganë ka qenë kaotik.

Javën e kaluar ka ndodhur një sulm vetëvrasës nga militantët e Shtetit Islamik Khorasan jashtë aeroportit të Kabulit që la të vrarë rreth 170 afganë dhe 13 trupa amerikane.

Si filloi lufta më e gjatë e SHBA-ve në Afganistan

SHBA-ja dhe forcat aleate janë futur në Afganistan në vitin 2001, pas sulmeve terroriste të Al Kaidës në SHBA, më 11 shtator, 2001.

Brenda një kohe të shkurtër, aleanca ushtarake perëndimore i largoi nga pushteti talibanët, që i kishin ofruar mbështetje rrjetit terrorist të Al-Kaidës.

Megjithatë Afganistani asnjëherë nuk gjeti paqe.

Gjithsej 2 mijë e 461 pjesëtarë të shërbimit amerikan u vranë në Afganistan dhe më shumë se 20 mijë u plagosën, në dy dekadat e fundit.

Sipas raportimeve thuhet se Uashingtoni ka shpenzuar më shumë se 1 trilion dollarë në këtë luftë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore