Lajme

FSK-ja arrin rezultate të larta në garën në Turqi


Forca e Sigurisë së Kosovës.

Ekipi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), me pjesëmarrjen në garën “Best Sniper Competition 2023” në Egirdir të Turqisë, ka arritur rezultate të larta.

Lajmin e ka bërë të ditur FSK-ja përmes një komunikate për media.

“Ekipi i Forcës së Sigurisë së Kosovës pjesëmarrës në Garën “Best Sniper Competition 2023” që u mbajt në Egirdir të Republikës së Turqisë, në shkollën Komando të realizuar nga data 29.05 – 09.06.2022, ka arritur rezultate të larta dhe është vlerësuar për bashkëpunimin dhe ndërveprueshmërin me pjesëmarrësit në garë”, thuhet në komunikatën e FSK-së.

Tutje nga FSK-ja është sqaruar edhe rëndësia e pjesëmarrjes në këtë garë.

“Kjo garë çdo vit mbledhë shume ekipe nga shtete të ndryshme të botës për të garuar me ekipet e tyre speciale të snajperistëve, kjo garë përveç qëllimit garues  kishte për qëllim njohjen, marrjen dhe shkëmbimin e njohurive të reja nga snajperistët pjesëmarrës”.

“Gara u zhvillua në disiplina dhe skenarë të ndryshëm shume sfidues bazuar në situata reale. Ekipi i FSK-së, tregoj një përkushtim dhe profesionalizëm shumë të lartë duke përfaqësuar në mënyrë dinjitoze FSK-në dhe shtetin e Kosovës”.

Më 22 maj, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka bërë të ditur se Forcës së Sigurisë së Kosovës i është bashkuar shtabi i Task Forcës Jug në Republikën e Shqipërisë, në kuadër të realizimit të ushtrimit ndërkombëtar ‘Defender Europe 23’.

Lajmi është kumtuar përmes një shkrimi të publikuar nga Mehaj në rrjetin social ‘Facebook’.

“Forca e Sigurisë së Kosovës me oficerë e nënoficerë i bashkohet shtabit të Task Forcës Jug në Republikën e Shqipërisë, në kuadër të realizimit të ushtrimit ndërkombëtar “Defender Europe 23″ të udhëhequr dhe drejtuar nga ushtria Amerikane për Europë e Afrikë”, ka shkruar Mehaj.

Më 2 maj, në Kosovë ishte paraparë që të niste edhe stërvitja më e madhe ushtarake ndërkombëtare “Defender Europe 2023”, por që kjo stërvitje ishte ndalur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), për shkak të situatës së tensionuar në Veri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore