Shqipëria

FSK-ja i bashkohet Task Forcës Jug të Shqipërisë në “Defender Europe 23”


FSK-ja i bashkohet Task Forcës Jug të Shqipërisë

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka bërë të ditur se Forcës së Sigurisë së Kosovës i është bashkuar shtabi i Task Forcës Jug në Republikën e Shqipërisë, në kuadër të realizimit të ushtrimit ndërkombëtar ‘Defender Europe 23’.

Lajmi është kumtuar përmes një shkrimi të publikuar nga Mehaj në rrjetin social ‘Facebook’.

“Forca e Sigurisë së Kosovës me oficerë e nënoficerë i bashkohet shtabit të Task Forcës Jug në Republikën e Shqipërisë, në kuadër të realizimit të ushtrimit ndërkombëtar “Defender Europe 23″ të udhëhequr dhe drejtuar nga ushtria Amerikane për Europë e Afrikë”, ka shkruar Mehaj.

Më 2 maj, në Kosovë ka nisur stërvitja më e madhe ushtarake ndërkombëtare “Defender Europe 2023”, që do të zgjas deri më 2 qershor.

Kosova do të jetë nikoqire e ushtrimit ndërkombëtar në rajonin e Ballkanit ‘Defender Europe ’23’, me ç’rast do të validohen kapacitet e dy regjimenteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, e po ashtu do të tregohet shkalla e  ndërveprimit ushtarak, përkrah forcave të shteteve partnere.

Kjo stërvitje e përbashkët mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të NATO-s bëhet çdo vit, në shkallë të gjerë dhe drejtohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nga kjo stërvitje e përbashkët, shtetet krijojnë gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë mes SHBA-ve, NATO-s dhe vendeve aleate.

Shefi i Departamentit për Operacione dhe Trajnime në Forcën e Sigurisë së Kosovës, Kolonel Ejup Maqedonci, njëherësh edhe këshilltar i sigurisë së kryeministrit dhe këshilltar ushtarak i ministrit të Mbrojtjes Armend Mehaj, në një intervistë për Albanian Post, kishte treguar rëndësinë e Defender Europe 2023, ushtrimet që do të zhvillohen, gatishmërinë  e FSK-së për të marrë pjesë dhe dallimet që do të jenë nga Defender 2021.

Maqedonci, gjatë intervistës për Albanian Post bën të ditur se të dielën e 21 majit atëherë edhe kur nis Defender Europe 2023, në Kosovë do të zbarkojnë njësi ushtarake nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria, Maqedonia e Veriut si dhe ekipe nga Kroacia dhe Turqia.

Kjo e bën Defender 2023, të dallojë nga ai që ishte mbajtur në vitin 2021, pasi në atë kohë kishte pasur vetëm prezencë të njësive nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore