Kosova

Fried: Kosova është përgjegjëse për krizën aktuale, por Serbia duhet të përballet me realitetin


Ish-ndihmësi sekretar amerikan i Shtetit, Daniel Fried

Sipas ish-ndihmësit sekretar amerikan të Shtetit, Daniel Fried, situata aktuale në Veri të Kosovës i ka rrënjët tek mospranimi nga Serbia i realitetit të pakthyeshëm të Pavarësisë së Kosovës.

Por, përgjegjësia për vendimmarrje që dërgoi në incidentet e fundit rëndon mbi Kosovën.

“Kriza e tanishme duket se është shkaktuar nga gabimet e qeverisë së Kosovës. Pra, në tërësi, Serbia mund të ketë përgjegjësi, për këtë gjendje të çuditshme, por kriza e tanishme është diçka që ka shkaktuar, do të thosha, zemërimin e Shteteve të Bashkuara”.

“Që nga pavarësia e Kosovës në vitin 2008, nuk mbaj mend që një përfaqësues i qeverisë amerikane të ketë qenë aq i zemëruar, sa dukej ai. Mendoj se qeveria e Kosovës me siguri e ka marrë vendimin në rrethana të vështira, por vendimi e përkeqësoi shumë më tepër situatën, që edhe më parë ishte e komplikuar”.

“Kjo ka rezultuar në përkeqësimin e fortë të marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Kosovën. Dhe kjo nuk i shërben askujt. Është për të ardhur keq”, ka deklaruar ai për Zërin e Amerikës.

Ai raportin aktual të Kosovës me SHBA-në e ka quajtur si “kohë të vështirë”.

Djegia e veturës së Policisë së Kosovës në Veri.

“Është një kohë e vështirë si në terren ashtu edhe në marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Kosovën, dhe e gjithë kjo gjë më duket për të ardhur keq”.

“Tani, shpresojë që qeveria e Kosovës të gjejë një mënyrë që të korrigjojë gabimet e saj fillestare”.

Megjithatë, ai thekson se është koha që Serbia të përballet me realitetin dhe ta pranoj pavarësinë e Kosovës.

“Qeveritë bëjnë gabime dhe shpresoj, që në njëfarë niveli dhe ndoshta në të gjitha nivelet, qeveria e Kosovës do ta pranojë këtë, por është një periudhë e vështirë. Në të njëjtën kohë, kjo nuk do të ndryshojë faktin se Serbia duhet të përballet me realitetin”.

“Përgjegjësia, bie më shumë mbi Serbinë, tek përpjekjet e saj për të kundërshtuar pavarësinë e Kosovës, e cila, serbët besoj se e dinë, se është e pakthyeshme. Çështja e Kosovës ka marrë fund. Por për disa arsye ata nuk e pranojnë”.

Edhe pse sipas këndvështrimit të tij Qeveria e Kosovës ka marrë një vendim të sovranitetit, nuk i kishte menduar pasojat në mënyrë të duhur.

“Qeveria e Kosovës mori një vendim, bazuar në në një logjikë të kuptueshme të sovranitetit, por abstrakte, duke bërë që pasojat të trajtoheshin nga KFOR-i dhe Shtetet e Bashkuara. Mendoj se amerikanët ishin të zemëruar nga kjo qasje”.

Për veprimin e SHBA-ve që Kosovës iu anulua pjesëmarrja në stërvitjen “Defender Europe 2023”, Fried thotë se ishte i justifikuar.

“Mendoj se Shtetet e Bashkuara synonin të tërhiqnin vëmendjen e qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve të saj, çka do të thotë se ishin seriozisht të zemëruar. Dhe unë mendoj se ata kishin arsye për këtë. E njoh sekretarin Blinken, e njoh prej 30 vitesh. Ai është një person i mençur. Mendoj, dhe me sa di unë, ai kishte arsye të ishte i zemëruar nga veprimet e qeverisë së Kosovës”.

“Mendoj se kjo ishte një mënyrë për t’i thënë Kosovës se nuk mund të krijoni probleme të panevojshme për Shtetet e Bashkuara dhe më pas t’i largoheni përgjegjësisë”.

Ndër të tjera, pohon se Kosova aktualisht e ka mundësinë që të “konsolidojë” pozicionin e saj.

“Kosova duhet të përfitojë nga kjo mundësi dhe të konsolidojë pozicionin e saj dhe jo thjesht t’i trajtojë Shtetet e Bashkuara sikur një burim të pafund mbështetjeje të verbër, të padiskutueshme, në çdo rrethanë. Ajo këshillohet të përfitojë nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa”.

Ai shton se nga situata aktuale, “qeveria e Kosovës duhet të gjejë një mënyrë për t’u tërhequr”.

I pyetur nëse SHBA-të dhe BE-ja duhet ta rishqyrtojnë strategjinë e tyre për Serbinë dhe Kosovës, ai konsideron se ka mundësi të mjaftueshme për të bërë përparim, nëse të dyja palët dëshirojnë.

“Nuk jam i sigurt se idetë ose kornizat e reja për këtë çështje do të funksiononin. Kornizat aktuale ofrojnë mundësi të mjaftueshme për të bërë përparim, nëse palët duan të bëjnë përparim. Asnjë kornizë nuk do të sjellë përparim nëse palët nuk e duan atë. Pra, problemi nuk është tek korniza e dialogut, por në faktin nëse palët duan t’i trajtojnë çështjet me seriozitet”.

Protestat e serbëve në Veri të Kosovës të cilët po kundërshtojnë ushtrimin e detyrës së kryetarëve të sapo zgjedhur nga objektet komunale ka hyrë në ditën e gjashtë.

Qindra protestues serbë janë para këtë të premte në orët e hershme të mëngjesit të së premtes në Komunën e Zveçanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore