Lajme

Franca është e gatshme “të shkojë më tej” dhe të ndalojë naftën ruse


Franca është e gatshme “të shkojë më tej” dhe të ndalojë naftën ruse. Kjo ka qenë deklarata e ministrit francez të Financave Bruno Le Maire për “CNN”.

Le Maire e quajti sulmin në një stacion hekurudhor në Kramatorsk, i cili la të paktën 50 njerëz të vdekur, “një masakër” dhe tha se përgjegjësit duhet “të identifikohen, të ndiqen penalisht dhe ndoshta të dënohen për këto krime”.

Franca nuk donte të priste dhe një ndalim i naftës do të ishte një “ndryshues i lojës”, tha Le Maire, por shtoi se uniteti evropian ishte i nevojshëm për të zbatuar sanksione më të rrepta për energjinë.

“Përsa i përket Francës, ne jemi të gatshëm të shkojmë më tej dhe të vendosim një ndalim të naftës dhe jam thellësisht i bindur se hapat e ardhshëm dhe diskutimet e ardhshme do të fokusohen në këtë çështje të ndalimit të naftës ruse”, tha ai.

Le Maire theksoi se sanksionet aktuale të miratuara nga BE-ja ishin shumë efektive dhe “më të rëndat që nga krijimi i Bashkimit Evropian”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore