Lajme

Fotot 10 miliardë dollarëshe të teleskopit James Webb


Nuk ka se si të mos quhet një prej arritjeve më të mëdha të njerëzimit në fushën e astronomisë, ndërtimi i teleskopit James Webb, i cili ka kushtuar 10 miliardë dollarë, por që po transmeton dita ditës pamje marramendëse nga universi ku ne jetojmë.

Për këtë arsye, ai është emërtuar edhe si një dhuratë 10 miliardë dollarëshe për gjithë botën dhe çdo shkrepje e tij, ka vlerën e veçantë të gjithë mundit që shkoi për ta ndërtuar fillimisht, e më pas të gjithë punës që shkon për të na treguar në mënyrë të përditshme se ku përkasim ne në univers.

Si pasues i teleskopit të famshëm Hubble, James Webb pati edhe njerëz skeptikë, derisa pak muaj pas hedhjes së tij në orbitë, pikërisht 10 vjet më parë, më 25 dhjetor 2021, objektivi kryesor i tij u hap, u kalibrua dhe filloi të përjetësonte imazhe të jashtëzakonshme dhe të pa para ndonjëherë nga syri i njeriut.

Nebula e quajtur “Shqiponja”, ishte ndër të parat që James Webb shkrepi dhe madje, e ktheu imazhin edhe në infrared, duke dhënë dy aspekte të ndryshme të bukurisë universale.

Më pas, radhën do ta kishte nebula e njohur si “Carina”, ose e quajtur ndryshe edhe “shkëmbinjtë universalë”, pasi i ngjan në realitet një vargmali, edhe pse përbëhet kryesisht nga pluhuri kozmik dhe gazra të ndryshëm.

Një galaksi e zbuluar nga astronomi zviceran Fritz Zwicky në vitin 1940, më në fund mori formë të plotë kur teleskopi James Webb e përjetësoi në një imazh. Një arritje tjetër e inxhinierisë astronomike, duke marrë parasysh vështirësinë e realizimit të imazhit të një galaksie të largët.

Kulmi ndërkohë, u arrit kur botës iu edhe fotografia e parë e qartë e planetit Neptun nga distanca, një spektakël i vërtetë i gjigandit të gaztë të sistemit diellor, pas të cilit duket edhe hëna e tij më e madhe, Triton.

Nebula “Orion”, është edhe qershia mbi tortë, për të përmbyllur vitin e parë të rrugëtimit të teleskopit James Webb, fotot e të cilit, të sjella në tokë, mund të thuhet se kushtojnë edhe 10 miliardë dollarë secila, për shkak të kostos për ndërtimin e tij.

Megjithatë, 20 vjet të tjera pune e presin, derisa ai të amortizohet në hapësirë dhe ta përmbushë misionin e madh që ka mbi supe: Të jetë syri i njeriut, në hapësirën e pafundme!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore