Lajme

Formalizmi i Statusit të Kishës Serbe në Kosovë “bie ndesh me Kushtetutën, shkel parimin e barazisë para ligjit”


Manastiri i Deçanit

Në rast se do formatizohej një statusi për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë, siç parashihet në nenin e shtatë të dokumentit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do tw binte ndesh me Kushtetutën e Kosovës për shkak se shkel parimin e barazisë para ligjit.

Kështu ka vlerësuar njohësi i çështjeve kushtetuese Mentor Beqiri për Albanian Post, teksa ka potencuar se trajtimi i tillë i kishave ortodokse serbe në një mënyrë speciale,” automatikisht krijon pabarazi ndaj besimeve apo religjioneve te tjera’.

“Një trajtim i tillë i pabarabartë i besimtareve te religjioneve të tjera është në kundërshtim edhe me ligje tjera specifike të kësaj fushe. Kjo praktikë i hapë rrugë që në të ardhmen të ketë kërkesa të tilla nga grupime të tjera etnike”, alarmon Beqiri.

Po ashtu, ai vuri në pah se një qasje e tillë e shtetit serb në Kosovë, cenon vetë integritetin e Republikës së Kosovës, “duke lejuar kështu një shtet të huaj, të ketë ndikim në rregullimin shtetëror”.

Por, pavarësisht kësaj, me këtë marrëveshje tashmë janë pajtuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç të hënën e 27 shkurtit.

Po ashtu në nenin e shtatë flitet edhe për sigurimin e “një niveli të përshtatshëm të vetëqeverisjes për komunitetin serb” dhe për provizione të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë edhe mundësinë e asistencës financiare nga Serbia, pra për Asociacionin.

“Të dyja palët përkushtohen për arritjen e aranzhimeve specifike, në përputhje me instrumentet relevante të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë për provizione të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë edhe mundësinë e asistencës financiare nga Serbia dhe kanale të komunikimit direkt të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës”, thuhet në nenin e shtatë.

Zyrtare: Publikohet Marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë – Asociacioni brenda

Ndërkaq nga këndvështrimi i historianit, Jusuf Buxhovi, çështja si çështje, në parim, nuk paraqet ndonjë rrezik, po qe se marrëveshja do të nisej nga fakti qe kishat ortodokse në Kosovë, si dhe objektet tjera fetare në Kosovë islame dhe katolike janë pasuri kulturore e shtetit të Kosovës, çofshin ato edhe vlera të shpallura nën mbrojtjen e UNESCO-s.

“Problemet fillojnë tek tretmani që trashëgimia e krishterimit ortodoks në Kosovës, i është lënë kishës ortodokse serbe. Ky kompromis i dalë nga pakoja e Ahtisarit, është antihistorik, meqë ortodoksia është pjesë e përbashkët e krishterimit, së cilës i kanë takuar arbërorët-shqiptarët nga shekulli IV e këndej kur është zyrtarizuar nga perandori dardan Konstandini i Madh”, sqaron ai.

Prandaj, ai thekson se përpjekjet që objektet e kishave ortodokse nga krishterimi i përbashkët të trajtohen si kisha ortodokse serbe, pashmangshëm hap problemin e “tapive shpirtërore serbe” në Kosovë.

“Zgjidhja, pra duhet kërkuar te konceptet kulturore evropiane, që objektet e kultit të trajtohen si pronë e shtetit të Kosovës, ndërsa shfrytëzimi i tyre të jetë i lirë për të gjithë qytetarët dhe të tjerët”, shton Buxhovi.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës vazhdimisht ka refuzuar që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 – ku parashihet që manastirit të Deçanit t’i jepen edhe 24 hektarë tokë në pronësi të saj.

Gjatë shkurtit të vitit 2022, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte bërë kërkesë që ta vizitojë Manastirin e Deçanit, mirëpo e njëjta iu kishte refuzuar nga Dioqeza e kësaj kishe, duke kërkuar kështu që të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore