Lajme

Formalizimi i statusit të Kishës Serbe në Kosovë – pjesë e marrëveshjes së Brukselit


Në marrëveshjen e pranuar të hënën e 27 shkurtit nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç e cila për qëllim ka normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, në asnjërën nga 11 nenet e saj nuk parashihet njohja e ndërsjellë, por Kosovës përveç themelimit të Asociacionit i kërkohet që së bashku me Serbinë ta formalizojnë statusin e Kishave Ortodokse Serbe në Kosovë.

Në nenin shtatë flitet për formalizmin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe e po ashtu për sigurimin e “një niveli të përshtatshëm të vetëqeverisjes për komunitetin serb” dhe për provizione të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë edhe mundësinë e asistencës financiare nga Serbia.

“Palët do të formalizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe të ofrojnë nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”, thuhet në nenin shtatë.

“Të dyja palët përkushtohen për arritjen e aranzhimeve specifike, në përputhje me instrumentet relevante të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë për provizione të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë edhe mundësinë e asistencës financiare nga Serbia dhe kanale të komunikimit direkt të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës”.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës vazhdimisht ka refuzuar që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 – ku parashihet që manastirit të Deçanit t’i jepen edhe 24 hektarë tokë në pronësi të saj.

Gjatë shkurtit të vitit 2022, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte bërë kërkesë që ta vizitojë Manastirin e Deçanit, mirëpo e njëjta iu kishte refuzuar nga Dioqeza e kësaj kishe, duke kërkuar kështu që të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Ndryshe, tashmë është zbuluar edhe zyrtarisht dokumenti i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi të njëjtin në Bruksel e kanë pranuar si kryeministri Albin Kurti, ashtu edhe presidenti Aleksandër Vuçiç.

Propozimi franko-gjerman që ‘trazoi’ skenën politike në Prishtinë dhe Beograd u është dorëzuar dy liderëve në fund të verës së vitit të kaluar, fillimisht si “plan fillestar”, pastaj si dokument i modelit “merre ose lëre”.

Ky propozim, të cilin e pati publikuar ekskluzivisht Albanian Post, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe garanci shtesë për komunitetin serb në Kosovë. Nuk përmendet njohja reciproke.

Ndërsa, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, në një konferencë për media pas përfundimit të takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se palët janë pajtuar se nuk nevojiten diskutime tjera për planin franko-gjerman.

Ai tha se do të nevojiten negociata shtesë gjatë muajit mars, me qëllim që të zbatohet të gjitha modalitetet e propozimit evropian, i cili, siç njoftoi ai, tani është pagëzuar “Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Zyrtare: Publikohet Marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë – Asociacioni brenda

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore