Lajme

Borrell: Takimi tjetër në mars – Kurti dhe Vuçiç u pajtuan me planin franko-gjerman


Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, në një konferencë për media pas përfundimit të takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se palët janë pajtuar se nuk nevojiten diskutime shtesë për planin franko-gjerman.

“Kam kënaqësinë të njoftoj se presidenti Vuçiç dhe kryeministri Kurti sot janë pajtuar se nuk nevojiten diskutime të mëtejshme për propozimin e Bashkimit Evropian – propozim që tani titullohet: ‘Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë’”.

Ai tha se tani do të nevojiten negociata të mëtejshme për të përcaktuar modalitetet specifike të zbatimit të dispozitave, ndërsa shtoi se palët janë pajtuar që të rezervohen nga veprimet e pakoordinuara që mund të pengojnë procesin e dialogut në të ardhmen.

“E përsëris: ata shprehën gatishmërinë e tyre për të vazhduar me zbatimin e Marrëveshjes, por ende nevojiten negociata të mëtejshme për të përcaktuar modalitetet specifike të zbatimit të dispozitave të Marrëveshjes”.

“Do të thotë se diplomacia fluturuese do të vazhdojë dhe unë do të thërras një takim tjetër mes dy liderëve gjatë muajit mars me qëllim që të finalizohen diskutimet për aneksin e zbatimit – që do të udhëheqë fazën e zbatimit të Marrëveshjes”, shtoi ai.

Kyrediplomati evropian theksoi se në ndërkohë, deri në mesin e muajit mars, Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak, do të vizitojë sërish Prishtinën dhe Beogradin për të ndjekur diskutimet e këtij takimi dhe për t’u përgatitur për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë.

“Gjithashtu, është shumë pozitive të thuhet se të dyja palët kanë rënë dakord të përmbahen nga çdo veprim i pakoordinuar që mund të çojë në tensione të reja në terren dhe të dëmtojë këto negociata. Shpresoj që të ndodhë në këtë mënyrë dhe të mos ketë asnjë veprim të pakoordinuar”.

Borrell theksoi se arritja e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve nuk është e rëndësishme vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por është gjithashtu e rëndësishme për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e të gjithë rajonit.

“Marrëveshja do t’i vendosë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në një bazë të re dhe të qëndrueshme, dhe dialogun e lehtësuar nga BE-ja në një trajektore largpamëse drejt normalizimit gjithëpërfshirës – pa të cilën asnjëra nga palët nuk mund ta realizojë të ardhmen e tyre evropiane”.

Ndryshe, edhe pse propozimin evropian e kishte negociuar për një kohë të gjatë vetë presidenti serb, të njëjtën nuk pritet ta nënshkruaj ai, por atë pritet ta nënshkruaj kryeministri Kurti dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç.

Ndonëse propozimi franko-gjerman që ‘trazoi’ skenën politike në Prishtinë dhe në Beograd u është dorëzuar dy liderëve në fund të verës së vitit të kaluar, fillimisht si “plan fillestar”, pastaj si dokument i modelit “merre ose lëre”, përmbajtja e tij nuk është bërë akoma publike.

Ky propozim, të cilin e pati publikuar ekskluzivisht Albanian Post, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe garanci shtesë për komunitetin serb në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore