Shqipëria

Forcë për të kuptuar – dhe rigjetur – veten


“Më ndryshoi portreti dhe në çdo moment, dukesha pa asnjë shprehi përtej dhimbjes dhe trishtimit”.

“Të gjithë ata – përtej familjes -për të cilët prita të kuptonin që diçka nuk po shkonte me gjendjen time, nuk e bënë kurrë këtë dhe në fund u fajësova që nuk kisha folur apo nuk kisha kërkuar ndihmë”.

Kështu e nis përshkrimin e një prej periudhave të saj më të vështira Aria, emri me të cilin do t’i referohem gjatë shkrimit pasi identiteti i saj do të mbetet anonim për arsye personale.

Në fjalët e saj, në të vërtetë përjetimet, e gjen veten kushdo që mund të jetë ndeshur me një të tillë gjendje.

Është sfilitëse ta shpjegosh, ta zbërthesh me fjalë, akoma edhe më e vështirë ta tregosh e ritregosh. Ose fjalë s’ka ose ato s’mund të gjenden.

Asgjë nuk arrin të të gëzojë, as gjërat që mund t’i kesh pritur me padurim prej vitesh e për të cilat ke thurur pafund ëndrra. Buzëqeshja humbet dhe vendin e saj e zënë lotët, netët pa gjumë.

As vet nuk arrin ta kuptosh se çfarë të ndodh.

Por, ashtu sikurse thotë edhe vetë Aria, gjërat kalojnë. Kur e kupton dhe nis të luftosh për ta shbërë, aty nis fitorja. Tanimë “periudha më e errët e jetës” së saj nga ana emocionale dhe mentale i përket të kaluarës.

Gjithçka nisi kur iu desh të largohej nga Shqipëria.

“Ndryshimi drastik i mënyrës së jetesës larg familjarëve dhe rutinës me të cilën isha mësuar më bën të kisha ankth, frikëra të ndryshme, dëshirë për të ndenjur kot. Dhe gjatë gjithë periudhës, askush nuk u përpoq të më kuptonte apo të më pyeste se çfarë kisha”.

Lind pyetja pse?

“Po sa njerëz ka që nuk reagojnë ndaj gjërave tejet të dukshme si mospasja e dikujt tjetër për të ngrënë, mospasja e rrobave për t’u veshur, jo më të reagojnë për ‘probleme’ si ato që unë kalova”, përgjigjet ajo.

Teksa i ka humbur shpresat nga pakica që mund të ndihmojë shumicën që s’plotëson dot as nevojat bazike, ajo dallon një fenomen social si bazën e këtyre rrjedhojave të pakënaqshme.

“Për fat të keq, njerëzit kanë filluar të përmbushen me gjëra sipërfaqësore, të cilat po i çojnë drejt një jete që nuk është e tyre, por fasadë. Dhe kjo po i bën të harrojnë esencën e vet jetës: humanizmin”, veçon ajo.

Vite më parë ndoshta e bënte të ndjehej mirë një çantë e kushtueshme, një palë këpucë të mira, një udhëtim… sot jo. “Sot nuk ka asgjë materiale që më mbush”, shprehet Aria.

Në të kundërt, e gjen plotësinë te ndjesia e dhembshurisë, te lutja, te humanizmi.

“Paçka dhimbjes që kalova duke u izoluar brenda një guaske të mbuluar nga errësira, falë kësaj situate tejet të rënduar psikologjike, sot arrij të kuptoj vërtetë esencën e asaj që quhet jetë. Kam arritur të ndjej forcën dhe të njoh veten”, tregon ajo.

Tani për Arian, çdo hapje syri në agim është një dhuratë për të cilën thotë se duhet të jemi falënderues.

Ndaj e ka një thirrje të fortë , thellësisht të ndjerë, për të gjithë:

“Mundohu të shijosh çdo moment, kudo, çdo ndjesi, me këdo, në mënyrë që të mund të kujtosh dhe të mendosh mbi ndodhitë e bukura që jeta të fal. Edhe aty ku ka kapluar trishtimi, me pak doza pozitiviteti dhe optimizmi arrin ta nxjerrësh diçka drejt të bukurës. Edhe në errësirë, po të kesh forcë, gjen dritë për ta jetuar ditën sërish”.

Të kuptuarit e problemit

“Shëndeti mendor dhe ai emocional janë thelbësorë për shëndetin e përgjithshëm dhe cilësinë e jetës”, sipas psikologes klinike Destemona Çelo.

Ajo e përshkruan si një gjendje ku individi ka një funksionim efektiv, realizon qëllimet e tij, arrin të tregojë aftësitë e tij në shkollë, punë, komunitet dhe mund të përballojë ngjarje stresuese gjatë të përditshmes.

“Përfshin mirëqenien emocionale, psikologjike dhe sociale. Përfshin mirëqenien subjektive, vetefikasitetin e perceptuar, autonominë, kompetencën dhe vetaktualizimin e potencialit intelektual dhe emocional”, ravijëzon ajo.

Psikologia dallon se shëndeti mendor përfshin “aftësinë e një individi për të mbajtur një ekuilibër midis aktiviteteve të ndryshme gjatë një dite”.

“Ndikon në mënyrën se si mendojmë, ndjehemi, veprojmë, bëjmë zgjedhje dhe atashohemi me të tjerët”, ka treguar ajo.

Gjatë një vlerësimi psikologjik mund të kuptohet në lidhje me simptomat e manifestuara. Dhe dy komponentët që psikologët vlerësojnë për të diagnostikuar një individ janë kohëzgjatja e simptomave dhe intensiteti i tyre.

“Çdo problem i shëndetit mendor edhe nëse nuk i përmbush kriteret për të qenë një çrregullim sipas kritereve diagnostike të përcaktuara ka nevojë për të qenë në vëmendje nga profesionistë të shëndetit mendor”, ka theksuar psikologia.

Po ashtu vetëkujdesi mund të luajë një rol në ruajtjen e shëndetit mendor dhe të ndihmojë nëse përjetohen shqetësime.

Kujdesi për veten, sipas saj, do të thotë të gjendet pak kohë për të bërë gjëra që ndihmojnë në të ndjerin mirë, si dhe të përmirësohet shëndeti fizik dhe mendor.

Por, nuk është për të gjithë e njëjta mënyrë vetëkujdesi funksionale.

Çelo tregon se secili ka një mekanizëm që e përdor për t’u qetësuar, për të arritur balancat dhe ekuilibrat psikologjikë në të gjitha fushat e jetës.

Këshilla e saj është që, nëse vërtet është e nevojshme ndihma e profesionistit të shëndetit mendor, duhet të merret.

“Nëse vini re se keni një ndryshim te rutina juaj, si vështirësi për të fjetur gjumë, ndryshime në zakonet e të ushqyerit, në sjelljen tuaj me të tjerët, ose vini re ndryshime te fëmijët, është koha për të kërkuar ndihmë”, ka apeluar psikologia.

Sepse psikoterapia eksploron mendimet, ndjenjat dhe sjelljet, si dhe kërkon të përmirësojë mirëqenien e një individi.

Por meqë është “luks” që çdo shtëpi ta ketë një psikolog, mjafton të mësohet një mënyrë për edukimin shëndetësor, mënyrë vetëkujdesi, mënyrë për menaxhimin e zemërimit dhe teknika për stabilizimin emocional.

Ekzistojnë prova të shumta empirike epidemiologjike dhe klinike se stigma e njerëzve për problemet e shëndetit mendor ka ekzistuar, ekziston dhe do të jetë gjithmonë.

Ama për shkak të ndërgjegjësimit më të madh të publikut, mjeteve më të sofistikuara diagnostike dhe trajtuese, “stigma edhe në Shqipëri po reduktohet gradualisht”.

Për Çelon, arsyet pse individët stigmatizojnë janë të shumta.

Ato përfshijnë mungesën e informacionit për çrregullimet mendore dhe rëndësinë e psikologut, perceptimet e gabuara lidhur me keqinformimin dhe interpretimin e gabuar të situatave apo historive.

“Dua të përmend frikën nga refuzimi i të tjerëve, konkretisht i individëve që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor, të cilët auto-stigmatizojnë veten dhe shmangin trajtimin e problemeve”, ka dalluar ajo.

Në këtë mënyrë, ata rrisin vuajtjen e tyre, edhe pse e bëjnë pa qëllim.

“Të kesh në familje një person që vuan nga probleme të shëndetit mendor nuk është krim, as turp. Çdo njeri ka të drejtë të kuptohet pse vuan, cilët janë faktorët që e kanë bërë të vuaj dhe ka të drejtë të ndihet i pranuar dhe të ndihmohet nga mjedisi i afërt familjar dhe nga e gjithë shoqëria”.

Me këtë e ka përmbyllur idenë e vet psikologia klinike Çelo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore