Shqipëria

Forcat e armatosura si pjesë e taktikave ndërkombëtare


Shqipëria, si pjesëtare e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), do të kthehet për 45 ditë në mikpritësen e mijëra trupave ushtarake nga 10-të vende të Evropës.

Lajmi u bë i ditur me datën 3 shkurt, pas takimit të Presidentit të Shqipërisë me zyrtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Yuri Kim, si edhe drejtues të lartë të Ushtrisë Amerikane në Evropë.

Qëllimi i “Defender Europe 21”, është një nga stërvitjet më të mëdha të ushtrisë amerikane në Evropë.

Në një takim midis Ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi, dhe zëvendëskomandantit të Ushtrisë amerikane në Evropë dhe Afrikë, gjeneralmajor Joseph F. Jarrard, ministri e siguroi gjeneralmajorin, për gatishmërinë e të gjitha strukturave të shtetit shqiptar, me qëllim realizimin me sukses të stërvitjes.

Sipas burimeve të Albanian Post (AP), të tilla ushtrime stërvitore bëhen çdo vit, nga njësi të ndryshme ushtarake amerikane.

AP mëson se stërvitje me të njëjtën tematike janë bërë edhe në vende të tjera të NATO-s. Këtu përfshihen vende si Gjermania, Kroacia, Greqia, Maqedonia e Veriut dhe SHBA. Stërvitjet organizohen nga forcat ushtarake amerikane.

Burimet e AP-së konfirmuan se pjesë e këtyre aktiviteteve kanë qenë edhe Forcat e Armatosura Shqiptare.

Stërvitjet, tha një ushtar i FA-së, kanë si qëllim që vendet anëtare të NATO-s, të njohin taktikat e njëri-tjetrit.

“Njohja e taktive luftarake është qëllimi primar. Të gjitha këto stërvitje kanë si synim që vendet anëtare të NATO-s, të njohin taktikat e njëri-tjetrit. Në rast të një lufte potenciale, vendet e NATO-s të jenë të sinkronizuara në fushëbetejë”.

Gjithashtu, shton ai, me anë të stërvitjeve rritet profesionalizmi dhe bashkëpunimi në veprime.

Në stërvitjen “Defender Europe 21” do të marrin pjesë rreth 8 mijë trupa. Gjithashtu mësohet se do të vijnë qindra mjete ushtarake nga SHBA-ja, Shqipëria dhe vende të tjera aleate. Aktiviteti do të zhvillohet në bazat kryesore ushtarake të vendit tonë në maj të këtij vitit 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore