Film

“Fletorja e Vdekjes”, film i animuar dhe filozofi


Death Note është një manga/anime japoneze që tregon për një adoleshent gjenial Light Yagami-n në Tokyo i cili gjen një fletore misterioze, “Fletorja e Vdekjes”, e cila i takonte Shinigamit Ryuk, që i jep fuqinë e mbinatyrshme për të vrarë njerëz të cilëve ua shkruan emrat aty.

Ai atë fletore e vë në përdorim të idesë së tij për të krijuar një botë pa krim, pa njerëz të pamoralshëm, dhe fillon të ndihet si Zot, se po i sjellë drejtësi një boteje kaotike, vrasëse, të mizershme. Ai i vendos vetes nofkën Kira, një transliterim japonez i fjalës ‘killer’ në anglisht.

Light Yagami (japonisht: Yagami Raito), një student i përsosur, kulmi i zgjuarësisë, atlet, i pashëm, dhe me mirësjellje të jashtme. Kjo është njëra anë e medaljës së personalitetit të tij. Tjetra? Një aktor dhe gënjeshtar i paparë, me një kompleks superioriteti monstruoz, një njeri i mërzitur me realitetin e mërzitshëm të Tokyo-s.

Një ekzistencialist me botëkuptim të errët, që kryen mëkatin e madh grek, hubris-in.

Antipodi i tij, agjenti sekret gjenial që e gjurmon vrasësin Kira, si një Zot i padukshëm, është ‘L’-ja (Elli). Beteja psikologjike dhe beteja mes dy inteligjencave të pazakonta bëhet një luftë intelektuale mes macës e miut. Gjersa ideja e përgjithshme krijohet se Kira është personazhi negativ kurse L-ja pozitiv, gjatë tërë serisë është e qartë se kjo nuk është kaq e thjeshtë.

Dikotomia e së mirës dhe të keqes është një reduksion i kompleksitetit filozofik të moralit. Zëri i brendshëm i ndërgjegjes së Kira-s në monologjet e tia paraqitetit si konkluzioni i mirësisë dhe idealitetit të tij moral, për një botë pastërtisht paqësore, me një botë ku ai vendos drejtësinë e rreptë të tij (duke i vrarë të gjithë të ligët në botë), dhe duke ngulitur frikë në të gjithë banorët e botës, se është një zot diku që dënon transgresorët.

Po ashtu L trupëzon idenë e tij se ai është mishërimi i mirësisë morale universale, duke ndjekur ‘vrasësin’, pasi që vrasja është e keqja më e madhe, edhe dikush që vret vrasësin është vrasës. Por përveq se e konsideron veten si paragon të drejtësisë, L për herë të parë ka gjetur një kundërshtar po aq të zgjuar dhe gjenial si veten, dhe është i simuluar të konkludojë betejën e tij deri në kapjen e Kiras.

Death Note, është një përplasje intelektesh, konspiracive. Dy monstrumë me mendje të mprehta, që duan të prehen me njëri tjetrin në luftën e tyre logjike.

Ndoshta më së miri betejën mes Kira-s dhe L-it do ta përkufizonte thënia e filozofit gjerman Friedrich Nietzsche:

Kushdo që lufton me përbindësha duhet të ketë kujdes se mos shndërrohet edhe vetë në përbindësh. Dhe, nëse e shikon gjatë humnerën në sy, atëherë edhe humnera nis e të shikon ty”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore