Shqipëria

Fleta e votimit pa emra, Celibashi shpjegon si do të votohet


Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, të hënën e 5 prillit, në një konferencë për media, ka shpjeguar se si do të zhvillohet procesi i votimit në zgjedhjet parlamentare.

Në fletën e votimit, qytetarët do të votojnë për kandidatin e preferuar, duke iu referuar numrit që ata mbajnë.

“Është e qartë që nuk do të jenë emrat në fletën e votimit, por numrat, tregojnë kandidatët e renditur sipas renditjes së partisë. Në çdo qendër votimi do të vendosim postera të mëdhenj, ku tregohet numri që ka secili prej kandidatëve”, është shprehur ai.

Celibashi ka njoftuar që një votues do të mund të zgjedhë partinë politike ose koalicionin dhe një kandidat të kësaj partie apo koalicionit. Pra, nuk zgjedh dot dy.

“Fleta quhet e vlefshme edhe kur voton vetëm partinë apo koalicionin e caktuar. Ka njerëzit që preferojnë të zgjedhin një parti, por jo një kandidat të caktuar. Po ashtu, fleta do të quhet e vlefshme dhe kur një qytetar zgjedh një kandidat të caktuar, por jo koalicioni ose partinë. Kjo do të njihet dhe si votë për kandidatin dhe për partinë, apo koalicionin njëkohësisht”, tha Celibashi.

Ndër të tjera, ai u ka bërë thirrje partive politike dhe kandidatëve për deputetë, të zhvillojnë një fushatë të qetë.

“Përgjegjësi për mospërmbushjen e Kodit Zgjedhor do e mbajë përgjegjësinë dhe do të paraqitet në sanksionet përkatëse. U bëj thirrje partive politike dhe kandidatëve të bëjnë një fushatë të qetë dhe të lejohen qytetarët të zgjedhin kë të dëshirojnë”, ka deklaruar Celibashi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore