Zgjedhjet në Kosovë

Fitorja – siç e kërkoi – e Albin Kurtit


Albin Kurti duke përshëndetur qytetarët nga ballkoni i ndërtesë së Qeverisë

“Populli foli”, ka thënë mbrëmë Albin Kurti, kur është paraqitur para mediave, bashkë me Vjosa Osmanin, për fjalimin e triumfit.

Pas diçka më shumë se 10 vjet aktivitet politik brenda sistemit zgjedhor dhe rreth 16 vjet e formuar si Lëvizje, Vetëvendosja ka fituar më shumë se kushdo tjetër në historinë e pasluftës në Kosovë.

Kur kanë mbetur edhe fare pak vota për t’u numëruar, në grafikonet e Komisionit Qendror Zgjedhor, tregohet se VV-ja ka fituar mbi 48 për qind.

Vota e diasporës, e cila shkon tradicionalisht për Vetëvendosjen, pritet ta rritë akoma këtë fitore të Kurtit.

Ai gjatë gjithë fushatës zgjedhore u ka kërkuar njerëzve të dalin sa më shumë në zgjedhje dhe ka thënë se 14 shkurti është “referendum”, ku vendoset në mes të së ardhmes dhe të së kaluarës për qytetarët e Kosovës – Kurti duke qenë e ardhmja.

Kur të numërohen të gjitha votat, shifra e arritur nga Vetëvendosje pritet të jetë rreth 400 mijë vota – një numër që s’është kapur nga askush në Kosovë, as atëherë kur jetën politike e dominonte ish presidenti, Ibrahim Rugova.

Rritja e Vetëvendosjes ka ardhur me reprezalje të mëdha për dy partitë rivale – Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës.

Më e dëmtuar është LDK që, sipas rezultateve të deritanishme, fiton veç 13 për qind të votës së përgjithshme.

Ky është rezultati më i dobët që LDK shënon në një proces zgjedhor.

PDK-ja ka mbetur e dyta, pa liderin e partisë, Kadri Veselin, dhe nën kandidaturën e Enver Hoxhajt, nënkryetar i partisë.

Rezultati megjithatë është në teposhtës edhe për këtë parti.

E themeluar nga ish-udhëheqës lufte, PDK ka zbritur në 17.3 për qind.

Albin Kurti rreth mesnate në konferencë të përbashkët me Osmanin ka ripërsëritur se këto zgjedhje ishin “Referendumi për drejtësi e kundër kapjes së shtetit”.

Nuk vonoi të shtojë se “rruga përpara është e gjatë”.

“Do të kemi pengesa e do të bëjmë ndonjë gabim, por qëllimin e kemi fisnik. Nuk do të hakmerremi ndaj askujt, por do të kërkojmë drejtësi”, pohoi Kurti.

Përafërsisht të njëjtat gjëra ka thënë edhe Osmani.

“Ky nuk është mandat për hakmarrje”, ka siguruar ajo qytetarët, duke shtuar se “kjo qeveri do të jetë zëri i qytetarëve”.

Në anën tjetër LDK ka pranuar humbjen. Ishte Avdullah Hoti që tha se e bën vetën përgjegjës.

“Para jush dua të them se e marrë përgjegjësinë e plotë për rezultatet dhe do të diskutoj me organet e partisë”.

Njëjtë edhe Hoxhaj ka pranuar rezultatin, derisa ka qenë i shpejtë në kumtimin e tij se PDK mbetet në opozitë, nëse është Vetëvendosje që e formon qeverinë.

“PDK nuk do të jetë pjesë e Qeverisë me Lëvizjen Vetëvendosje, sepse jemi larg me orientimet tona politike”, tha Hoxhaj.

Se si dhe kush do ta bëjë qeverinë i takon së ardhmes. Përveç ekzekutivit, duhet të votohet edhe presidenti dhe kjo komplikon gjërat, meqë për presidentin duhen 80 vota, ose në raundin e tretë 61, por duhet të jenë 80 deputetë të pranishëm në sallë.

Parlamenti i Kosovës ka 120 ulëse dhe 20 janë të rezervuara për komunitetet pakicë – 10 për serbët dhe 10 për komunitetet tjera.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore