Përballje

Finalja e Kupës së Italisë – tifozë në orën policore?


Rikthimi i tifozëve nëpër stadiumet e futbollit në ligën italiane, do të bëhet ne finalen e Kupës së Italisë, e cila do të zhvillohet me datën 19 maj mes Juventusit dhe Atalantës.

Pra, tashmë dhe zyrtarisht finalja e kupës, do të ketë të pranishëm rreth katër mijë tifozë ose 20 për qind e stadiumit “Mappei” në Reggio Emilia.

Megjithatë këta tifozë që do të jenë të pranishëm në stadium, ka mundësi që të largohen para se ta mësojnë fituesin e Kupës së Italisë.

Kjo pasi që autoritetet italiane, në masat e fundit “anti-covid”, kanë bërë rregullën që të ndalohet lëvizja e qytetarëve nga ora 22:00 deri në 05:00.

Kjo bënë të ditur që tifozët e pranishëm, mund ta ndjekin vetëm pjesën e parë të ndeshjes, pasi që finalja është parashikuar të fillojë në ora 21:00.

Mediat në Itali thonë se kryeministri Mario Draghi, të hënën mund të ndryshojë kufizimin e lëvizjeve, duke e bërë deri në ora 23:00, megjithatë ky vendim duhet të hyjë në fuqi menjëherë, pasi që do të mbeteshin edhe 48 orë për tu zhvilluar ndeshja.

Megjithatë, kjo zhvendosje e orës policore, përsëri do krijonte probleme në rast se finalja shkon në vazhdime.

Dhe alternativa më e mirë do të ishte zhvendosja e orës së fillimit të finales nga 21:00 në 19:00, për të shmangur një ngjarje të keqe sikurse ndodhi në turneun e tenisit në Romë, “Foro Italico”, në të cilin shikuesit u desht ta lenë në gjysmë sfidën mes Sonego dhe Thiem, për shkak të kufizimit të lëvizjes.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore