Shqipëria

Finalizohet operacioni “Pojska”, në pranga shtetasi i shumëkërkuar turk


Operacioni policor i koduar “Pojska”, nga Fast Albania, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Pogradec dhe me Interpol Tiranën është finalizuar.

Në të është vënë në pranga në Pogradec një shtetas turk, i shumëkërkuar nga drejtësia turke, i dënuar me 21 vite burgim dhe i larguar nga vendi i vuajtjes së dënimit.

Referuar Policisë së Shtetit, këtij shtetasi i kanë mbetur për të kryer edhe 10 vite burgim.

42-vjeçari, nga Konya e Turqisë, i dënuar për veprën penale “Mashtrimi i rëndë, duke përdorur sistemet informative të bankave dhe të kartave të kredit”, dhe së fundi i shpallur në kërkim për veprën penale “Largimi nga vendi i vuajtjes së dënimit”, fshihej në Pogradec.

Shtetasi, për t’u maskuar, mashtronte qytetarët përmes ushtrimit të profesionit të fizioterapistit.

Shërbimet e Fast Albania, pas marrjes së informacionit se një shtetas, i shumëkërkuar nga Turqia fshihej në Pogradec, organizuan punën dhe pas disa ditë mbajtjeje nën kontroll, finalizuan operacionin policor.

Si rezultat, në shëtitoren “10 Dëshmorët e Pojskës”, u kap dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimi, shtetasi turk Salih Akkurt, 42 vjeç.

Ai ishte në kërkim ndërkombëtar pasi Zyra Qendrore Kombëtare e Interpol Tiranës është njoftuar nga Interpol Ankara, Turqi, se për këtë shtetas, më datë 05.05.2022, është lëshuar urdhër arresti nga Prokuroria e Izmirit, Turqi.

Kjo, në zbatim të vendimit nr. 2020/8992, të datës 30.12.2020, në bazë të të cilit 42-vjeçari është dënuar me 21 vite, 10 muaj e 15 ditë burgim, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe 10 vite e 1 ditë burgim.

Burgim për veprat penale “Mashtrimi i rëndë duke përdorur sistemet informative, të bankave dhe kartave te kredit” dhe “Largimi nga vendi i vuajtjes së dënimit”, të parashikuara nga legjislacioni turk.

Gjatë kontrollit fizik të këtij shtetasi, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan çeqe në shuma të mëdha monetare.

Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Ankara, Turqi, dhe agjencitë ligjzbatuese vijojnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Turqisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore