Stil

Figurat publike reagojnë në mbrojtje të Ëmblës – vajzës me sindromën “Down”


Lajmin e nënshkrimit të një peticioni kundër prezencës në klasë të një fëmije me sindromën “Down” në një shkollë në Gostivar të Maqedonisë së Veriut, nuk e kanë pritur fare mire figurat publike shqiptare.

Lidhur me rastin nuk kanë hezituar të reagojnë përmes rrjeteve sociale, artistët më me nam, përfshirë këngëtaren, Dafina Zeqiri.

Përmes një postimi në llogarinë e saj të Instagram-it, Dafina, ka shkruar se rastit të vajzës nga Gostivari me emrin Ëmbla, duhet t’i jepët zë për ta ndaluar diskriminimin.

Fotografi e publikuar nga Dafina Zeqiri në Instagram.

“Hajde t’i japim za e shije rastit të Ëmblës. Rasti i Ëmbla, vajzës 11 vjeçare me sindromën Down, osht’ veprimi që ma ka lanë shijen ma t’hidhun t’njerzimit”, ka shkruar Dafina.

“Ëmbla osht mbajt veçmas në nji klasë tjetër, me arsyen ‘le t’ndahet prej shoqnis, e t’qetsohët si i thon’ kshtu’ – tekstualisht fjalet e drejtorit, i cili mbylli dyert e shkollës e nuk pranonte me e tregu si duket klasa”, ka shtuar ajo.

Dafina është shprehur e surprizuar me vendimin e prindërve për ta përjashtuar nga klasa vajzën me sindromën “Down”.

“E tmerri ma i madhi kur prindërit e fëmijve të tjerë nuk e duan Ëmblën n’klasë, k’ta prind me asnji norm’ njerzore s’mundem me i arsyetu, e që besa as s’du me i arsyetu”, ka shkruar Zeqiri.

“Unë po dridhem tu e shkrujt, s’du as me mendu qysh janë tu u ndi prind e saj. Ty Ëmbla nuk t’humb shija prej veprimeve t’njerzve t’pa pikë njerzie”, ka përfunduar ylli i hitit “Duro”.

Për rastin e vajzës 11 vjeçe, ka reaguar edhe këngëtarja shqiptare nga Maqedonia e Veriut, Big Mama.

Fotografi e publikuar në Instagram nga Big Mama.

“Ëmbla ti je dashuri e papërshkruar. Ju ‘prindër’ që keni nënshkruar peticion, a e dini që vuani nga sindromi ‘Shpirt i Zi’”, ka shkruar Big Mama në një postim në Instagram, teksa ka ndarë me ndjekësit fotografinë e vajzës në fjalë.

Edhe modelja nga Kosova, Diellza Kolgeci, i ka quajtur prindërit e fëmijëve që nënshkruan peticionin për largimin e Ëmblës nga klasa si “Monstruma”.

Fotografi e publikuar në Instagram nga Diellza Kolgeci.

“Prindërit të cilët kanë nënshkrua peticion që kjo engjëllushe të mos shkojë në shkollë së bashku më fëmijët e tyre, për mua nuk janë prindër, janë Monstruma. Marre”, ka shkruar Kolgeci.

Ndërkohë, në mbështetje Ëmblës i ka dalë edhe rep artisti, Gold Ag – ky i fundit ka ndarë një fotografi të vajzës  bashkangjitur me një emoji zemre.

Fotografi e publikuar nga Gold Ag.

Për dallim nga fëmijët e tjerë, që vitin shkollor e nisën më 1 shkurt, Ëmbla filloi mësimin një ditë më vonë – më 2 shkurt. Kjo pasi prindërit e nxënësve tjerë kanë bojkotuar mësimin, me pretekstin se ka qenë agresive ndaj fëmijëve të tjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore