Sport

FIFA synon të ‘shuajë’ konfliktet në Lindjen e Mesme nëpërmjet organizimit të Botërorit


Gianni Infantino, kreu i FIFA-s, institucionit më të madh botëror të futbollit ka ardhur me një ide të re për sa i përket organizimit të Kupës së Botës.

Duket se FIFA kërkon të sjellë paqe edhe në një rajon të mbushur me problematika mes shteteve.

Ideja e Infantino-s është që të organizojë Kupën e Botës mes Izraelit dhe shteteve të tjera në Lindjen e Mesme, raporton izraelitja “The Times of Israel”.

Gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Izrael, Infantino ishte pjesë e ceremonisë hapëse të Qendrës “Friedman” për paqe, e krijuar nga ish-ambasadori i SHBA në Izrael gjatë presidencës së Donald Trump-it, David Friedman-i.

Naftali Bennett – Kryeministri i Izraelit dhe Gianni Infantino, kreu i FIFA-s

Duke folur për marrëveshjen e nënshkruar një vit më parë mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahreinit, Infantino sugjeroi “Pse të mos ëndërroni një Kupë Bote mes Izraelit dhe vendeve fqinje? Me Marrëveshjet Abrahamike, pse të mos i organizoni ato këtu, së bashku me vendet e tjera të Lindjes së Mesme dhe Palestinën?”.

“Asgjë nuk është e pamundur, ne duhet të mendojmë më shumë. Sot mbajtja e një Kupe Bote është një aventurë shumë e madhe, është diçka më shumë se një ngjarje sportive, është një ngjarje me miliona bileta të shitura dhe miliarda shikues”, shtoi më tej kreu i FIFA-s.

“Duhet të kesh vizion, ëndrra dhe ambicie. Ne kemi folur shumë për të muajit e fundit pas marrëveshjes midis Emirateve të Bashkuara dhe Izraelit, kështu që një kandidaturë e përbashkët është një opsion”.

“Pas Katarit, Kupa e Botës do të luhet në Kanada, Meksikë dhe SHBA, tre vende të mëdha. Atëherë pse jo Izraeli?”, përfundoi Infantino.

Kupa e radhës e Botës, siç e shpjegoi edhe Infantino, do të organizohet midis Kanada – SHBA – Meksikë në vitin 2026.

E radhës do të jetë në 2030, nëse nuk arrihet marrëveshja që ajo të bëhet çdo dy vjet.

Nëse Izraeli, së bashku me vendet e tjera të Lindjes së Mesme bien dakord, mund të jenë kandidat potencial për të marrë përsipër organizimin e Kupës së Botës 2030.

Megjithatë kanë konkurencë të fortë nga Anglia dhe Arabia Saudite që po provon ta organizojë së bashku me Italinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore