Lajme

Ferronikeli, gazësjellësi e aksioni në veri, pyesin deputetët Kryeministrin Kurti


Ilustrim, Kuvendi i Kosovës

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka kërkuar nga ana e Qeverisë reflektim për çështjen e ndërprerjes së punës së Feronikelit për shkak të ngritjes së çmimit të energjisë.

Ferat Shala, deputet nga PDK

“Para pak ditësh në fushatë mbi një mijë punëtorë mbeten pa punë në Feronikel. Ku është Qeveria këtu që hesht. Si ka mundësi që t’i klasifikojë ndërmarrjet në kohe pandemie e të jetë kaq indiferente ndaj një rajoni të tërë”, ka thënë Shala.

“Heshtje totale, dënim nga institucionet që i bëjnë ekonomisë së këtij rajoni veçanërisht Drenasit, që ka qenë bartës i zhvillimeve sociale, ekonomike e historike.”.

Sipas tij, “kriza energjetike është dëm i madh ekonomik”, ka thënë Shala duke shtuar se “presim urgjentisht që qeveria të reflektojë, të kthejë kulturën institucionale, të gjenden më afër industrialistëve”.

“Fajin për ndaljen e punës në Ferronikel e ka PDK-ja. Po të ishte kompani shtetërore ne do ta ndihmonim, por ajo tash është kompani private. A merr Kosova diçka prej fitimit? Jo, e merr pronari”, ka thënë Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, duke iu përgjigjur kështu deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala.

Driton Selmanaj, deputet i LDK-së

Pos tij, kritika për Qeverinë ka dhënë edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj. Kritikat e tij lidhen me çështjen e gazsjellësit amerikan në Kosovë.

“Vendimi i qeverisë që shprehet që për momentin nuk është e interesuar për gazsjellësin amerikan. Një vendim i tillë dëmton rëndë interesat shtetërore dhe ato gjeostrategjike të miqve ndërkombëtar sidomos SHBA-ve”, tha Selmanaj.

Sipas tij, Kosova këtë projekt “duhet ta shoh në kontekstin e sigurisë, dhe pozicionimit përkrah interesave tona shtetërore dhe gjeopolitike”.

“Nëse qeveria nuk e shqyrton vendimin e saj të gabuar Kosova mund të përfundojë si shteti i vetëm në rajon pa gaz dhe me pozitë të vështirë në rrugën e saj për fuqizimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar”, shtoi Selamanaj.

Ramush Haradinaj, Kryetar i AAK-së

Ndërkaq kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është marrë me operacionet e policisë në veri të vendit.

Sipas tij, ka ndodhur dobësim i sigurisë dhe shtetit ligjor.

“Gjatë periudhës që shkoi kemi parë dy operacione ne veriun e vendit, pas të cilave ka ndodhur përkeqësim i gjendjes, të rendit të ligjit dhe dobësim i shtetit ligjor. Pas dy herëve që ka operuar Kosova në veri me policinë, të dyja herët kemi dalë më të dobët”.

Siç theksoi Haradinaj operimi në veri të dy herëve po bëhet qëllimshëm të dorëzohet veriu.

“Nuk e di pse ndodhë kështu, por ata që merren me rendin dhe ligjin, e din që Kosova është më e dobët në veri në rend dhe ligj pas këtyre dy operacioneve. Kërkoj sqarime të detajuara, pse po dobësohet shteti ligjor në Veri pas të gjithave proceseve që kemi kaluar, pasi u paguhet ne veri rryma, pse policia të mbahet peng? Çka ka ndodhur?”.

“Kjo s’ka të bëjë me zgjedhjet, ka të bëjë me tërësinë territoriale, por me sovranitetin dhe shtetin ligjor”, shtoi Haradinaj.

Ndërkaq, Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, dhe njëkohësisht kandidatja për kryetare të Gjakovës nga LVV, Mimoza Kusari-Lila, ka falënderuar qytetarët që dolën në votime për “Zgjedhjet Lokale 2021”.

Ajo gjatë seancës plenare në Kuvend ka thënë se gjatë zgjedhjeve të 17 tetorit, qytetarët ishin shembullorë në sjelljen dhe pjesëmarrje.

“Dalja e votuesve vetëm gjashtë për qind më e vogël se nga ajo e zgjedhjeve nacionale. Janë disa procese zgjedhore me radhë të cilat dëshmojnë kulturë të lartë demokratike dhe organizim të mbarë nga Institucionet përgjegjëse. I falënderoj të gjithë votuesit e Kosovës të cilët morën pjesë në zgjedhje”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore