Sport

Ferrari provon të bindë Lewis Hamilton me 40 milionë paund


Lewis Hamilton. Photo: Sky Sports

Sipas raportimeve, Ferrari do t’i ofrojë Sir Lewis Hamilton një marrëveshje të madhe për ta bindur atë të largohet nga Mercedes.

38-vjeçarit i mbaron kontrata me Mercedes në fund të vitit dhe ka zhvilluar bisedime me Ferrarin për një ndryshim ambienti.

Presidenti i Ferrari-t, John Elkann ka qenë në kontakt të ngushtë me Hamilton për t’i ofruar atij mundësinë për të fituar një titull të tetë rekord dhe për të eklipsuar legjendën, Michael Schumacher.

Dhe ata janë të gatshëm t’i ofrojnë britanikut një kontratë marramendëse me vlerë 40 milionë paund, sipas “Daily Mail”.

Ferrari dëshiron që Hamilton të arrijë në vend të Carlos Sainz, por ata gjithashtu do të jenë të gatshëm ta shkëmbejnë atë me pilotin numër një, Charles Leclerc, i cili do t’i bashkohet Mercedesit.

Përpara fushatës së 2023, u fol që Hamilton mund të tërhiqej në fund të sezonit, por ai deklaroi dëshirën e tij për të vazhduar garat në fillim të këtij muaji. Dhe ai mund të mbetet te Mercedes, i cili gjithashtu do t’i ofronte rreth 40 milionë paund për të nënshkruar për sezonin e ardhshëm.

Besohet se Hamilton do të vendosë të ardhmen e tij bazuar në atë se cila skuadër i jep atij shansin më të madh për të fituar një titull të tetë.

Përmirësimet e reja të Mercedesit do të prezantohen në Çmimin e Madh të Monakos këtë fundjavë.

Nëse modifikimet rezultojnë të suksesshme, Hamilton mund të ketë besim se mund të rivalizojë dyshen e Red Bull, Max Verstappen dhe Sergio Perez sezonin e ardhshëm. Por familja e tij është ende e etur që Hamilton të garojë një ditë për të kuqtë e famshëm të Ferrarit.

Hamilton po i afrohet fundit të karrierës dhe po i mbaron koha për të arritur tetë tituj kampionë rekord.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore