Lajme

Fëmijët po i ‘rrëmbehen’ Ukrainës me dekret të Putin-it


Plaçkitja e Ukrainës sa vjen dhe përshkallëzohet.

Pas grurit të Donbass-it dhe çelikut të Mariupol-it, nis zyrtarisht edhe ‘rrëmbimi’ në masë i fëmijëve.

Tanimë, presidenti rus Vladimir Putin ka pushtuar zona të mëdha në lindje dhe jug të vendit dhe nuk po humb kohë për të konfiskuar më të çmuarit e Ukrainës.

Ose më saktë, ata që Rusisë i mungojnë në mënyrë dramatike.

Ditët e fundit kanë qarkulluar informacione për transportin e metaleve në Rostov-on-Don përmes detit Azov dhe ato të drithërave nga qytetet nën thembër të Moskës.

Por, dje, “diktatori i Kremlin-it” vuri nënshkrimin e tij në vendimin më të pacipë në një urdhër për të kthyer në plaçkë lufte edhe fëmijët e kombit të sulmuar.

E gjitha me qëllimin për të shndërruar me forcë në rusë jetimët dhe të miturit e marrë nga prindërit e vet ukrainas.

T’i detyrojë ata të betohen për besnikëri ndaj regjimit që shkatërroi familjet e tyre, t’i vendosë ata nën kujdestarinë e nënave dhe baballarëve të rinj të rreshtuar me ushtrinë që sot po shkatërron tokat e tyre.

Këtë, duke përmbushur objektivin e Putin-it për t’i bërë të vegjlit ukrainas pa prindër, mijëra prej të cilëve ndodhen në rajone të nënshtruara, të rinj rusë në gjendje të bashkohen me ushtrinë e Moskës në të ardhmen.

Çka reflekton edhe arsyen pse pushtuesi merr gjithçka që mundet, aq sa mundet, ndërkohë që lufta vazhdon ende.

Dekreti në fjalë mban datën 30 maj, në krye me shqiponjën perandorake dykrenore të kurorëzuar rreth figurës së Shën Gjergjit mbi kalë.

Simbolika është bizantine dhe cariste.

Nga ana tjetër, thelbi i dokumentit është aq i afërt me luftërat pushtuese të viteve 1930 sa mund të mendohet se njerëzimi i nënshtruar bëhet një thesar për t’u siguruar Rusia.

Formalisht, masa është një ndryshim në një dekret të vitit 2019, që synon vendosjen e procedurave të thjeshta dhe të shpejta për transformimin e mijëra të miturve ukrainas në qytetarë rusë.

Në ato raste kur lufta i ka ndarë nga prindërit e tyre ose i ka lënë jetimë.

Fëmijët që banojnë në republikat e vetëshpallura Putiniane të Donetsk-ut dhe Lugansk-ut, por edhe ata të rajoneve të Zaporizhzhia-s dhe Kherson-it në jug, i nënshtrohen urdhrit.

Dhe për këtë arsye mund të rusifikohen në mënyrë të menjëhershëm.

Është e pazakontë se si mund të ndodhë rusifikimi mbi bazën e dekretit të Putin-it, pavarësisht vullnetit apo orientimit të atyre që janë objekt i tij.

Në të thuhet se “kanë të drejtë të aplikojnë për shtetësi” edhe “drejtuesit e organizatave pritëse për jetimët ose të miturit e pashoqëruar” ose “drejtuesit e institucioneve arsimore”, si dhe “kujdestarët” e fëmijës.

Pra, subjektet që tani janë nën kontrollin e Moskës në qytetet e pushtuara – shkollat, jetimoret, qendrat mjekësore ose qendrat sociale – mund të vendosin për kombësinë e ardhshme të fëmijëve.

Më tej, hapi i radhës mund të jetë birësimi nga një familje ruse, siç parashikohet nga “Komisariati për mbrojtjen e fëmijëve” të Kremlin-it.

Sakaq, një pasazh në formularët për aplikimin për shtetësi, bashkangjitur dekretit, zbulon qëllimet e Putin-it.

Thuhet se aplikanti duhet të nënshkruajë një deklaratë:

“Unë marr përsipër të jem besnik ndaj Rusisë, të përmbush me përpikëri detyrën time qytetare dhe të respektoj detyrimet e mia në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Federatës Ruse”.

Me fjalë të tjera, Kremlin-i po sheh ushtarët e ardhshëm te ukrainasit e vegjël që do të rusifikohen me forcë.

Dhe është një aspekt që zbulon se sa e vështirë ka qenë lufta deri më tani edhe për Rusinë.

Ata që e njohin sistemin Putinian nga brenda, ravijëzojnë se si ai po kërkon kompensim për dhjetëra mijëra të rinj rusë që ai vetë ka dërguar drejt vdekjes në Ukrainë.

Më të rinjtë bëhen plaçkë lufte pikërisht për t’u dërguar për të vrarë ose për t’u vrarë në luftëra të imagjinuara nga disa të moshuar që janë mbyllur në muret e Kremlin-it për dekada.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore