Lajme

Fehmi Mehmeti për veturën luksoze: Është blerë në fillim të vitit 2019


Guvernatori Fehmi Mehmeti.

Në mbledhjen e të mërkurës të Komisionit për Buxhet dhe Transfere, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani ka hapur temën për blerjen e një veture në vlerë rreth 70 mijë euro për guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës.

“Në buxhetin e miratuar nga bordi janë miratuar buxheti prej 80 mijë euro për blerjen e dy veturave, ndërsa është blerë vetëm një veturë në vlerë 70 mijë euro”, tha Rrahmani.

Guvernatori Fehmi Mehmeti për blerjen e veturës luksoze në vlerë prej 70 mijë euro e ka sqaruar këtë blerje duke thënë se është blerë në fillim të vitit 2019.

Mehmeti theksoi se ka sqaruar se “kanë qenë mjete të dedikuara për veturë”.

“U bënë qe tri vite që po flitet për këtë veturë. Edhe sot ka shkruar një medium për veturën që është blerë”, tha ai.

Banka Qendrore e Kosovës.

Në anën tjetër, deputeti Visar Korenica e ka rikthyer në diskutim çështjen e veturës së blerë nga BQK-ja për guvernatorin në vlerë 69 mijë e 200 euro.

Korenica për këtë çështje ka thënë se në të kaluarën ka bërë pyetje për veturën, mirëpo që atëherë nuk ka pasur informacione.

Duke ju referuar hulumtimit të mediave, ai ka thënë se procesi i blerjes së veturës është blerë vetëm në tenderin e tretë, pasi dy tenderët e parë ishin anuluar.

Korenica kërkoi të dijë përse pati rritje të çmimit për 2 mijë euro mes prokurimit të dytë dhe të tretë, për të njëjtat specifika.

“E njëjta veturë ka shkuar në tre procedura të prokurimit dhe në të tretit është përfunduar, mes prokurimit të dytë dhe tretë ka një rritje të vlerës për 2 mijë euro, kurse specifikat kanë qenë të njëjta. Në tenderin e dytë është shpallur fitues ‘Reforma’ Pse është rritur vlera për dy mijë euro për të njëjtën veturë”, deklaroi Korenica.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore