Lajme

“FAZ”: Rikthimi i Trumpit mund t’i hapë rrugë shkëmbimit të territoreve


Hashim Thaçi dhe Richard Grenell

Rikthimi i Donald Trump në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), duke marrë për bazë edhe trashëgiminë kontraverse të ish-Emisarit Special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Richard Grenell, mund të ketë pasoja të mëdha për rajonin, posaçërisht për shtetin e Kosovës.

Ky është vlerësimi i prestigjozes gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” në një artikull kushtuar projektit potencial të investimeve të dhëndrit të ish-presidentit amerikan, Jared Kushner, në Shqipëri dhe Serbi. Në artikullin e FAZ-it përmendet ideja e moçme e shkëmbimit të territoreve Kosovë-Serbi.

Autori i artikullit, Michael Martens, përmend një “marrëveshje të planifikuar” ndërmjet kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe presidentit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, për ndarjen e Kosovës në vija etnike, por që u parandalua atëherë.

“Rama, Vuçiçi dhe Thaçi ishin në prag të ndarjes së Kosovës. Në bazë të një marrëveshjeje të planifikuar atëherë që u quajt ‘shkëmbim territoresh’, veriu i Kosovës do t’i kishte rënë Serbisë dhe jugu do të kishte tendencë drejt Shqipërisë”, shkroi gazetari gjerman, i cili mbulon zhvillimet në rajon.

“Për Ramën dhe Vuçiçin, mbështetja e dëshirave të këtilla mund të jetë e dobishme politikisht nëse Trumpi bëhet sërish president […] marrëdhëniet e mira me presidentin e mundshëm të ardhshëm të SHBA-së mund t’i hapin rrugën Ramës dhe Vuçiçit për të rinovuar planet e tyre”, pretendoi ai.

Administrata Trump sugjeroi negocimin mbi një parim të ri: një këmbim territoresh ku të dy palët do të rishikonin kufijtë e tyre përgjatë vijave etnike duke transferuar pjesën me shumicë serbe të veriut të Kosovës në Serbi në këmbim të një pjese me shumicë shqiptare të Serbisë jugore në Kosovë. Pas rikonstruktimit të forcave në SHBA, përgjegjësia i kaloi BE-së.

Në pjesën veriore të Kosovës, komunat e banuara kryesisht me serbë etnikë, përpiqen të mbajnë një sistem paralel të përkrahur dhe financuar nga Serbia, ndërsa perspektiva e ndarjes apo këmbimit të territoreve ngrihet herë pas here në debatet publike. E idenë e ripërcaktimit të kufijve në vija etnike e kanë dhënë edhe shumë diplomatë e studiues perëndimorë.

Ish-këshilltari i Reaganit propozon “shkëmbim territoresh” për zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore