Lajme

FAZ: Raportet e Kosovës me Perëndimin më të këqija se kurrë më parë – vendin e pret “izolim diplomatik”


Albin Kurti

Gazeta prestigjioze gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung i ka kushtuar një artikull “përplasjeve” ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Bashkimit Evropian lidhur me disa nga çështjet që kanë të bëjnë me veriun e vendit të banuar me serbë etnikë.

Në artikullin e përgatitur nga gazetarët Michael Mertens dhe Thomas Gutschker që titullohet “S’ka më miq?”, theksohet “çarja e thellë” në raportet mes Kosovës dhe Perëndimit dhe vendosja e ‘sanksioneve’ për shkak të mospërfilljes së kërkesave të tyre nga kryeministri i vendit për uljen e tensioneve në veri.

Takimet me përfaqësuesit kosovarë në Bruksel dhe në disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian që ishin planifikuar për këtë javë janë anuluar, tregojnë burime diplomatike të FAZ-it, ndërsa vendimi përkatës ishte marrë të martën në Komisionin për Politikë dhe Siguri.

“Të gjitha shtetet anëtare përfaqësohen nga një ambasador. Komisioni i BE-së tani do të ngrijë programet me Kosovën, veçanërisht si pjesë e nismës së investimeve miliarda euro për Ballkanin Perëndimor. Është hera e parë që Unioni vepron kundër Prishtinës në këtë mënyrë. Duhet izolim diplomatik”, tregojnë burimet.

Thelbi i pakënaqësisë evropiane dhe amerikane ndaj kryeministrit Kurti, sipas gazetës gjermane, qëndron në refuzimin e kreut të ekzekutivit për të themeluar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, për të cilën ishte rënë dakord qysh në në vitin 2013 në Bruksel.

Gazeta kujton se Perëndimi kishte aplikuar sanksione politike dhe ekonomike ndaj ish-Jugosllavisë për shkak të shkeljes masive të të drejtave të njeriut në Kosovë. Madje edhe e kishte bombarduar. Por, askush s’e ka parashikuar se bota perëndimore do të kercënonte me sanksione kosovarët – viktimën e asobotshme – pas çerek shekulli.

“Për gati një çerek shekulli – që nga përfundimi i fushatës ajrore të NATO-s kundër Jugosllavisë së despotit serb Sllobodan Millosheviç në vitin 1999 – Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë pasur angazhime të mëdha ushtarake, ekonomike dhe politike në Kosovë”.

“Pa mbështetjen e shumicës së Perëndimit, shpallja e pavarësisë së Kosovës në shkurt 2008 nuk do të kishte asnjë shans për sukses. Për dallim nga Afganistani, angazhimi perëndimor në Kosovë ishte gjithashtu mjaft i suksesshëm”, thuhet ndër të tjera në artikullin e FAZ-it.

Ajo që veçse ishte paralajmëruar prej kohësh tashmë pritet të bëhet realitet – Kosova rrezikon të futet për herë të parë në mesin e shteteve të pakta që janë nën ‘sanksionet’ e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa ashpërsia e të cilave parashihet të rritet varësisht rrethanave.

Një varg ‘masash kufizueshe’ tepër serioze janë pregatitur tashmë nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave të tyre nga kryeministri Kurti për uljen e tensioneve në veriun e territorit të banuar me shumicë serbe.

Për “izolimin ndërkombëtar” të ekzekutivit kosovar për shkak të refuzimit për t’i dëgjuar kërkesat e aleatëve dhe refuzimit të kryeministrit Kurti për të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për qetësimin e situatës në veri ka raportuar që nga mëngjesi i së martës ekskluzivisht Albanian Post.

Kufijtë kohorë janë ngjeshur – sanksionet ndaj Kosovës në prag

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore