Lajme

Kufijtë kohorë janë ngjeshur – sanksionet ndaj Kosovës në prag


Ilustrim

Ajo që veçse ishte paralajmëruar prej kohësh tashmë pritet të bëhet realitet – Kosova rrezikon të futet për herë të parë në mesin e shteteve të pakta që janë nën sanksionet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa ashpërsia e të cilave parashihet të rritet varësisht rrethanave.

Një varg sanksionesh tepër serioze janë pregatitur tashmë nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave të tyre nga kryeministri i vendit Albin Kurti për uljen e tensioneve në veriun e territorit të banuar me serbë etnikë.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, ka ndarë me shtetet anëtare një pjesë të “skicës” për disa nga “masat shtrënguese” të cilat do të ndërmerren ndaj Kosovës, nëse kryeministri Kurti nuk ndërmerr hapat e nevojshëm për uljen e tensioneve në veri.

Për këto masa njoftoi të martën zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili në një përgjigje për Albanian Post, teksa komentoi planin pesë-pikësh të kryeministrit Kurti, tha se tani për tani kancelaritë evropiane nuk kanë parë “asnjë hap vendimtar” nga kreu i ekzekutivit për zgjidhjen e krizës në veri.

“Deri më tani nuk kemi parë asnjë hap të menjëhershëm dhe vendimtar nga kryeministri Kurti. Zhvillimet e fundit në veri të Kosovës vetëm dëshmojnë se përshkallëzimi po vazhdon dhe kjo shkon kundër interesave të Kosovës dhe të gjithë njerëzve në Kosovë”, pohoi Stano.

Se do të kishte pasoja jashtëzakonisht serioze për Kosovën nëse kryeministri Kurti nuk përmbush tri kërkesa “të qarta” të bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës në veri, kishte paralajmëruar vetë Borrell pas një takimi me presidenten Vjosa Osmani, më 1 qershor, në Kishinau të Moldavisë.

“Zgjedhjet të reja në veri menjëherë, garantimi i pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës dhe nisja e punës për themelimin e Asocicionit të Komunave me Shumicë Serbe. Dështimi për të bërë këtë, do të ketë pasoja serioze në marrëdhëniet tona”, ka thënë shefi i diplomacisë evropiane.

Krizat janë rrethana të politikës së jashtme në të cilat përfundimet janë shumë të rëndësishme dhe kufijtë kohorë janë krejt të ngjeshur. Kosova rrezikon të përballet me “shkopinjë të rëndë” për shkak të nxitimit të pakujdesshëm të kryeministrit Kurti në pozita të pasigurta.

Në veçanti, refuzimi me kokëfortësi për t’u cliruar prej tyre në kohën e duhur dhe përpjekja e tij për të paraqitur ide “alterative” për qetësimin e situatës në veri të Kosovës – krejt ndryshe nga kërkesat e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare – është damka dalluese e një diplomacie të paaftë.

Kreu i ekzekutivit kosovar tha se një “plan alternativ” në përbërje prej gjithsej pesë-pikave ua ka prezantuar shteteve partnere të QUINT-it (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe) për uljen e tensioneve në veri dhe rikthimin në dialog.

Qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale atje dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve janë kërkesat e përbashkëta të bashkësisë ndërkombëtare për kryeministrin Kurti, por këto jo që s’janë përmbushur, por ky i fundit ka dalë me kërkesa të vetat.

Sundimi i ligjit në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, tërheqja e “milicisë fashiste” atje, kryerja e vlerësimeve të përbashkëta të sigurisë nga Policia e Kosovës, KFOR-i e EULEX-i, shpallja e zgjedhje lokale të parakohshme dhe rikthimi në dialog janë pikat e propozuara nga ai.

Sanksionet, sipas burimeve të Radio Evropa e Lirë, do të përfshijnë pezullimin e pjesëmarrjes së Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga BE-ja dhe vendet anëtare, ndërsa takime do ketë vetëm kur ato duhet të zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës.

Do të ketë edhe pasoja financiare për Kosovën dhe pezullim substancial të financimit nga ana BE-së në disa projekte për të cilat ka dhënë propozime Kosova në kuadër të fondit investues për Ballkanin Perëndimor, derisa kryeministri Kurti të reflektojë dhe të ndjekë kursin e Perëndimit.

Për “izolimin ndërkombëtar” të ekzekutivit kosovar për shkak të refuzimit për t’i dëgjuar kërkesat e aleatëve dhe refuzimit të kryeministrit Kurti për të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për qetësimin e situatës në veri ka raportuar që nga mëngjesi i së martës ekskluzivisht Albanian Post.

“Ky është një proces që tashmë ka nisur. Me shumë gjasë brenda pak javësh aktiviteti i vetëm ndërkombëtar i Kurtit do të jetë pjesëmarrja në tryeza të organizuara nga OJQ evropiane, edhe pse edhe kjo do të reduktohet dukshëm”, pohuan burime  diplomatike për AP.

“Në rast të eskalimit të situatës në terren nuk përjashtohen masa të tjera më të ashpra të sanksioneve personale. Prapë duhet të themi qartë: askush nuk është duke u tallur më”, shtoi burimi i AP-së, i cili është angazhuar thellë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Burimet diplomatike të AP-së kanë bërë me dije se një nga hapat e parë do të jetë rishikimi i asistencës që vjen nga programet e para-anëtarësimit në BE – një masë tërësisht brenda Marrëveshjes së Ohrit – dhe zvarritja e procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

“Rishikimi i një pjese të mirë të programeve të financuara nga qeveria amerikane; rishikim i mbështetjes për Ushtrinë e Kosovës dhe forcat tjera të sigurisë – një vendim tjetër shumë i dhimbshëm; rishikim i çfarëdo rruge apo instrumenti që Kosovën e afron me NATO-n”, janë disa nga masat e tjera.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë e kanë përjashtuar Kosovën nga stërvitjet ushtarake ndërkombëtare të udhëhequra nga NATO-ja Defender Europe 23, duke e cilësuar këtë si masën e parë ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të moszbatimit të kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare.

Perëndimi kishte aplikuar sanksione politike dhe ekonomike ndaj ish-Jugosllavisë për shkak të shkeljes masive të të drejtave të njeriut në Kosovë. Por, askush s’e ka parashikuar se bota perëndimore do të kercënonte me sanksione kosovarët – viktimën e asobotshme – pas çerek shekulli.

Ndryshe, energjitë e konfliktit përftojnë një gjendje të tendosur konfrontimi. Mjafton një shkëndijë e vetme – qoftë kjo shkëndijë shprese, zgjuar nga veprime politike të bëra me pahir, qoftë shkëndijë zemërimi, zgjuar nga një armë e shkrepur në çastin e papërshtatshëm – dhe ajo shpërthen.

Në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa një numër grupesh dhe fraksionesh i kërcënojnë me rezistencë autoritetet kosovare që mundohet të integrojnë komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Ndërkaq, thuhet se kriza qëndron në dramatizimin e së tashmes për ata të cilët kanë një agjendë për ta ndryshuar gjendjen, kurse në “luftën” për ndryshim të realitetit në terren, nuk ka fitues. Në veri të Kosovës realisht ka çdo gjë nga pak përpos lirisë, demokracisë dhe shtetit ligjor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore