Lajme

Fauci: SHBA mund të vërë nën kontroll pandeminë në pranverën e 2022-shit


Eksperti kryesor për sëmundjet infektive në SHBA, Anthony Fauci, gjatë vaksinimit kundër COVID-19 në dhjetor të vitit 2020.

Eksperti kryesor i sëmundjeve infektive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Anthony Fauci, në një deklaratë të tij më 24 gusht tha se Shtetet e Bashkuara mund ta vendosin nën kontroll pandeminë e COVID-19 në fillim të vitit të ardhshëm nëse do të ketë më shumë të vaksinuar.

Një ditë pasi qeveria federale dha miratimin e plotë për vaksinën Pfizer/BioNtech, Fauci tha se miratimi i plotë për vaksinën Pfizer/BioNtech nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA), hap rrugën që më shumë njerëz të vaksinohen.

“Unë do të doja t’u bëja thirrje njerëzve, që nuk janë të vaksinuar, të kuptojnë se ne kemi aftësinë të shkurtojmë afatin kohor për të arritur në fund të kësaj pandemie”, tha Fauci gjatë një konference për media.

Po ashtu, ai bëri të ditur se “miratimi i plotë për vaksinën e Modernes mund të bëhet brenda kësaj jave”.

Gjithashtu, zyrtarët amerikanë u bënë thirrje punëdhënësve privatë dhe qeverive shtetërore dhe lokale të kërkojnë nga punonjësit e tyre që të vaksinohen.

Ushtria amerikane, disa biznese, universitete dhe organizata të tjera kanë filluar që ta bëjnë detyrues vaksinimin.

Më 24 gusht, shumë punëdhënës të mëdhenj amerikanë njoftuan se do të kërkojnë vaksinimin e punëtorëve.

Ndërkaq, presidenti Biden, më 24 gusht, kërkoi nga sektori privat dhe qeveritë lokale që t’i urdhërojnë punonjësit e tyre të vaksinohen kundër Coronavirusit.

“Nëse jeni udhëheqës biznesi, udhëheqës jofitimprurës, udhëheqës shtetërorë ose lokalë, që keni pritur miratimin e plotë të FDA-së për të kërkuar vaksinimin, unë u bëj thirrje që ta bëni këtë tani”, tha Biden.

Pfizer/BioNTech është miratuar për përdorim emergjent qysh nga dhjetori. Që atëherë, mbi 204 milionë njerëz vetëm në SHBA e kanë marrë këtë vaksinë.

Pak mbi gjysma e popullsisë në SHBA është e vaksinuar plotësisht kundër Coronavirusit. Dy vaksinat e tjera, që jepen në SHBA, janë: Moderna dhe Johnson&Johnson.

Më 23 gusht, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) i dha të hënën miratimin e plotë vaksinës Pfizer/BioNTech kundër Coronavirusit.

Me vaksinën Pfizer dhe BioNtech, që nga miratimi i saj në shtator, mbi 204 milionë njerëz vetëm në SHBA e kanë marrë atë.

Pfizer/BioNTech është vaksina e parë që merr miratimin e plotë nga FDA-ja për përdorim te personat mbi 16 vjeç.

SHBA-ja ka miratuar për përdorim emergjent edhe dy vaksina të tjera: Moderna dhe Johnson&Johnson.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore