Kosova

Familja Ademaj kërkon që t’u lejohet zhvarrimi i Liridonës


Leonard Ademaj, vëllai i Liridonës.

Familja e Liridona Ademaj, gruas që dyshohet se u vra me porosi të bashkëshkorit të saj, Naim Murseli, kanë kërkuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë që t’u lejohet zhvarrimi i trupit të saj të dielën (5 dhjetor).

Kërkesa është bërë nga Leonard Ademaj, vëllai i Liridonës. Kërkesa e familjes për zhvarrimin e trupit të Liridonës vjen pasi që ajo u varros të premten në fshatin Cermjan të Komunës së Gjakovës, nga ku vjen bashkëshorti i saj Murseli, mirëpo pasi i njëjti u arrestua si i përfshirë në vrasjen e saj, familjarët po kërkojnë që trupi i saj të zhvarroset nga aty.

“Shpresoj që institucionet do të na lejojnë që Liridonën ta kthejmë nesër aty ku e ka vendin, në shtëpinë e saj”, shkroi Leonardi në Facebook.

Në këtë reagim, ai në emër të familjes i falënderoi të gjithë “për ngushëllimet që na keni ofruar, për reagimet publike të mijëra njerëzve dhe për mbështetjen që na keni dhënë”.

“Liridona ka qenë grua e fortë dhe pozitive, nënë e përkushtuar dhe familjare e dashur”, shkroi vëllai i të ndjerës.

Lexo edhe këtë: Për një dekadë mbi 50 raste të vrasjeve të grave nga bashkëshortët

“Atë na e morën kriminelët”, theksoi ai, dhe “krejt çfarë duam ne është drejtësi”.

“Ne duam drejtësi të shpejtë dhe profesionale, pa vonesa dhe pa gabime. Kriminelët duhet të kalben në burg. Asnjë grua tjetër nuk duhet të vritet”, tha ai ndër të tjera.

Të premten, një ditë pas vrasjes së Liridona Ademaj, bashkëshorti i saj, Naim Murseli, është arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi që dyshohet se ka porositur vrasjen e gruas së tij.

Për këtë rast tragjik, janë arrestuar 3 persona, përfshirë Murselin, derisa të tretë pritet që të dielën të dalin para Gjykatës Themelore në Prishtinë, në departamentin për Krime të Rënda.

Ndërsa, të martën e 5 dhjetorit, duke filluar nga ora 18:00, në Prishtinë, përkatësisht në sheshin “Zahir Pajaziti”, do të organizohet një protestë në mbrojtje të grave, kjo pas vrasjes së Liridona Ademaj.

Rrëfimet e babait dhe vëllait të Liridonës: Dyshojmë se vrasja e saj u bë për t’ia marrë paratë e sigurimit në Suedi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore