Kosova

ShSKUK thotë se “s’ka dëmtime të aparaturave”, pas reshjeve të shiut


Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), ka njoftuar se pas reshjeve të dendura të shiut dhe pamundësisë së përpunimit të ujit nga rrjeti i ujërave të zeza, nuk kanë evidentuar dëmtime të aparaturave mjekësore dhe dëme të tjera materiale.

Përmes një komunikate të publikuar në rrjetin social Facebook, nga SHSKUK-ja kanë theksuar se uji kryesisht ka depërtuar në dysheme të disa klinikave, por pasi kanë ndërmarr masa të menjëhershme aparaturat mjekësore theksuan se nuk janë rrezikuar.

Meqë Klinika e Pulmologjisë ishte njëra, e cila kishte situatën më të rënduar, sipas ShSKUK-së, gjendja në të është stabile.

“Sa i përket Klinikës së Pulmologjisë, uji është hequr, kurse rëntgeni statik qëllimshëm është hequr nga funksioni për të mos u dëmtuar. Ndërkohë, klinika ka Rëntgen mobil dhe shfrytëzon rëntgenet e Klinikës së Radiologjisë”, thuhet në njoftim.

Më tej, potencuan se puna është duke vazhduar dhe që nga dje kanë angazhuar stafin për të kaluar situatën e krijuar nga reshjet e shiut.

“Puna është duke vazhduar edhe në klinikat tjera, kurse QKUK, nga dita e djeshme ka angazhuar të gjitha kapacitetet teknike dhe stafit shëndetësorë të klinikave, për të tejkaluar gjendjen pas reshjeve të shiut”, njoftohet tutje.

Ndryshe, reshjet e shumta të shiut, këtë të diel, kanë shkaktuar vërshime në shumë zona të Komunës së Prishtinës.

Lagjet e prekura prej reshjeve të rrëmbyeshme të shiut janë: Rruga C, Rruga B, Emshir, Kalabria, Veterniku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore