Biznes

Fabrikat aziatike lehtësohen nga bllokimi, por përballen me probleme në furnizim


Në Azi, aktiviteti i fabrikës ka pësuar rritje të shpejtë në muajin tetor pasi ekonomitë në zhvillim panë që infeksionet me COVID-19 u zvogëluan.

Mirëpo, rritja e kostove të inputeve, mungesa e materialeve dhe ngadalësimi i rritjes kineze e kanë turbulluar perspektivën, referuar sondazheve të biznesit.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se në rajon, politikëbërësit përballen me presione në fronte të shumta teksa i drejtojnë ekonomitë e tyre nga rënia e shkaktuar nga pandemia.

Kjo, ndërkohë që ata përpiqen të mbajnë nën kontroll çmimet mes rritjes së kostove të mallrave dhe mungesës së pjesëve.

Atje, aktiviteti i fabrikës është zgjeruar me ritmin e tij më të shpejtë në katër muajt që mbyllen në tetor, ka zbuluar Indeksi i Menaxherëve të Blerjeve të Sektorit Privat Caixin/Markit Manufacturing (PMI), pasi zvogëlimi i rasteve të COVID-19 rriti kërkesën e brendshme.

Kurse një nën-indeks për prodhimin ka nxjerrë se prodhimi është tkurrur për muajin e tretë radhazi për shkak të mungesës së energjisë dhe rritjes së kostove.

“Mungesat e lëndëve të para dhe rritja e çmimeve të mallrave, të kombinuara me problemet e furnizimit me energji elektrike, krijuan kufizime të forta për prodhuesit dhe ndërprenë zinxhirët e furnizimit”, ka treguar Wang Zhe, ekonomist i lartë në Caixin Insight Group.

Në tetor, aktiviteti i fabrikës u zgjerua në Vietnam, Indonezi dhe Malajzi kur operacionet u normalizuan gradualisht pasi u goditën nga mbylljet e shkaktuara nga një rritje e infeksioneve COVID-19.

Ishte Tajvani, shkruan “Reuters”, që pa rritjen e aktivitetit prodhues të përshpejtuar me kërkesën e fuqishme të çipave, ndërsa aktiviteti i fabrikës së Japonisë u zgjerua me ritmin më të shpejtë në gjashtë muaj, në një shenjë inkurajuese për ekonominë e tretë më të madhe në botë.

Ndërkaq, ky aktivitet në Indi u zgjerua me ritmin e tij më të shpejtë në tetë muaj deri në tetor, duke treguar për një rimëkëmbje të zgjeruar të biznesit në ekonominë e tretë më të madhe të Azisë.

Megjithatë, në shenjë të natyrës së parregullt të rimëkëmbjes së rajonit, aktiviteti i fabrikave të Koresë së Jugut u rrit me ritmin më të ngadaltë në 13 muaj deri në tetor për shkak të tkurrjes së prodhimit dhe kërkesës më të ulët.

Në Japoni, mungesa e materialeve dhe ndërprerjet e dërgesave rritën çmimet e inputeve më së shumti në mbi 13 vjet.

“Teksa PMI-të e prodhimit të tetorit tregojnë për një rritje të fortë të prodhimit, industria ka të ngjarë të punojë përmes grumbullimeve të mëdha të porosive për shumë muaj në vijim dhe mungesat e furnizimit që rezultojnë më tej do të vazhdojnë”, ka thënë ekonomisti Alex Holmes.

Përkundrazi, PMI e Koresë së Jugut ra në 50.2 në tetor nga 52.4 në shtator. Mirëpo, ajo arriti të qëndrojë mbi pragun prej 50 pikësh që tregon zgjerim të aktivitetit, për të 13-in muaj radhazi.

Nga ana tjetër, bazuar të sondazhet, PMI-ja e Vietnamit u rrit në 52.1 nga 40.2 në shtator, ndërsa ajo e Indonezisë u rrit në 57.2 nga 52.2.

“Reuters” tregon se ekonomitë në zhvillim të Azisë kanë vonuar ekonomitë e përparuara në rikuperimin për shkak të pandemisë pasi vonesat në nxjerrjen e vaksinave dhe një rritje e rasteve të variantit Delta kanë dëmtuar konsumin dhe prodhimin në fabrikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore