Sport

F1/ Vettel, Verstappen dhe Alonso kërkojnë anulimin e garës në Rusi


Fillimi i luftës në Ukrainës, pas sulmeve të forcave ruse gjatë mëngjesit së ditës së enjte, ka nxitur polemika të mëdha edhe në sport, e padyshim në këtë mes është përfshirë edhe Formula 1.

Para disa ore, UEFA vendosi sanksionet e para ndaj Rusisë, duke zhvendosur finalen e madhe të UEFA Champions League nga Shën Petersburgi.

Tashmë, në këtë mes është përfshirë F1 dhe pilotët e saj.

Çmimi i madh i Rusisë, që zhvillohet në Sochi dhe është i planifikuar në muajin shtator, me shumë mundësi nuk do të mbahet.

Zërin ndaj mbajtjes së tij e kanë ngritur disa pilotë dhe madje ka nga ata që kanë deklaruar që nuk do të garojnë në Rusi, edhe nëse gara eventualisht mbahet.

Bëhet fjalë për Sebastian Vettel, i cili u shpreh duke thënë:

“Nëse mbahet gara nuk do të shkoj. Mendoj që është shumë gabim që të garohet në atë shtet”, e nisi ai.

“Më vjen shumë keq për njerëzit e pafajshëm që po humbin jetën, po vriten për arsye idiote shkak i një lidershipi shumë, shumë të çuditshëm”.

Sa i përket Max Verstappen, kampioni i botës u shpreh duke thënë që “është shumë gabim të garohet në një vend ku ka luftë, në një vend që shkakton luftë”.

Mendimit të tyre iu bashkëngjit edhe Fernando Alonso, duke thënë që “të gjithë pilotët e ndajnë të njëjtin mendim”.

Çmimi i madh i Rusisë, me shumë mundësi do të zëvendësohet nga ai i Turqisë – kurse F1 me shumë mundësi do të ngrisë sanksione edhe ndaj të gjithë sponsorëve rus që janë pjesë e sportit më të shpejtë në botë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore