Lajme

Evakuohen 300 afganë brenda natës në Australi


Qeveria australiane ka evakuuar më shumë se 300 njerëz nga Kabuli të shtunën në mbrëmje, nëpërmjet katër fluturimeve.

Ka qenë kryeministri i Australisë, Scott Morrison, i cili paraditen e së dielës ka bërë me dije se mes tyre ishin australianë, mbajtës të vizave afgane dhe Zelandës së Re, si dhe shtetas amerikanë e britanikë.

Lajmi erdhi pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Gjermania këshilluan qytetarët e tyre në Afganistan të shmangin udhëtimet në aeroportin e Kabulit, për shkak të sigurisë.

Mijëra qytetarë u dyndën drejt aeroportit, në përpjekje për t’u larguar, pothuajse një javë pasi islamikët talebanë morën kontrollin.

Më tej, Morrison tha se, “ne do të vazhdojmë t’i drejtojmë ato fluturime, duke punuar së bashku me partnerët dhe aleatët tanë”.

“Ne nuk do të evakuojmë vetëm australianët dhe mbajtësit e vizave afgane për Australinë, por dhe ata nga Mbretëria e Bashkuar, SHBA-të dhe Zelanda e Re”.

Qeveria australiane, që nga 18 gushti, ka evakuuar më shumë se 550 persona nga Kabuli, përfshirë australianët dhe mbajtësit e vizave afgane.

Javën e kaluar, rreth 8 mijë njerëz udhëtuan nga Afganistani, sipas fluturimeve të organizuara nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe vendet e Bashkimit Evropian.

Fluturimi i parë për të sjellë të evakuuarit nga Kabuli në Australi zbarkoi në Perth, të premten në mbrëmje, ku solli australianë, mbajtës të vizave afgane dhe civilë, përfshirë gra dhe fëmijë, sipas ministres së Punëve të Jashtme, Marise Payne.

Ajo tha se përpjekjet janë penguar nga dhuna talibane.

“Ka mijëra njerëz, siç e keni parë, që janë grumbulluar rreth hyrjeve në aeroport”, tha ajo sipas një deklarate në një konference shtypi, të shtunën.

Çfarë ndodhi në Afganistan?

Të dielën e 15 gushtit, talebanët mësynë në Presidencën e AfganistanitAta morën kontrollin e kryeqytetit, Kabul.

Presidenti i vendit, Ashraf Ghani, u largua nga Kabuli, duke lënë popullin në duart e talebanëve.

Sipas tij, largimi erdhi “për të shpëtuar kryeqytetin dhe qytetarët e tij nga gjakderdhja”.

Presidenti afgan ka theksuar se talebanët po përballen me një provë të re historike, ku ose do të mbrojnë emrin dhe nderin e Afganistanit, ose do t’u japin përparësi vendeve dhe rrjeteve të tjera.

Ndërkohë përfaqësia talebane ka bërë thirrje për t’i lënë të qetë qytetarët në pronat e tyre.

“Emirati Islamik ka urdhëruar muxhahedinët e tij për të mos cenuar shtëpinë e askujt pa leje. Jeta, prona dhe nderi i askujt nuk duhet të dëmtohet. Ato duhet të mbrohen”.

Kështu, shkruhej në llogarinë në Twitter të Suhail Shaheen, një prej zëdhënësve talebanë.

Sipas raportimeve mediatike nga Afganistani, policia e ka lënë detyrën dhe qytetarët janë të pambrojtur. Nga ana tjetër, vendet perëndimore janë përpjekur të evakuojnë qytetarët e tyre.

Disa zona të kryeqytetit janë evakuuar tërësisht, ndërsa mesazhi i parë i talebanëve nga Presidenca, ka qenë ai i një qetësimi të masës dhe sigurim se shtetasit e huaj, nuk do të lëndohen.

Autoritetet në SHBA kanë filluar zyrtarisht tërheqjen e trupave nga Afganistani më 1 maj 2021, duke përcaktuar kështu fundin e “luftës”, siç e quajti presidenti amerikan Joe Biden.

SHBA dhe NATO kanë qëndruar në Afganistan për gati 20 vjet.

Cilët janë talebanët?

Talebanët, ose “studentët” në gjuhën Pashto, u shfaqën në fillim të viteve 1990 në Pakistanin verior pas tërheqjes së trupave sovjetike nga Afganistani.

Në shtator 1995 ata pushtuan krahinën e Herat-it, në kufi me Iranin, dhe saktësisht një vit më vonë kapën kryeqytetin afgan, Kabul – duke përmbysur regjimin e presidentit Burhanuddin Rabbani.

Deri në vitin 1998, talebanët kishin nën kontroll gati 90% të Afganistanit. Ndërsa forcat e huaja, të udhëhequra nga SHBA-të, filluan tërheqjen nga Afganistani pas 20 vitesh lufte, talebanët nisën të merrnin nën kontroll vendin.

Marrë nga Reuters, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore