Lajme

Eurodeputeti slloven për planin evropian: Serbia s’e njeh Kosovën – vendet e BE-së e shohin Serbinë ‘Rusi ballkanike’


Deputeti slloven i Parlamentit Evropian, Klemen Groshelj, ka thënë se asnjëra palë nuk mund ta refuzojë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe se qëllimi parësor i saj është ulja e tensioneve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

“Unë e shoh këtë marrëveshje si një përpjekje për të gjetur emëruesin më të ulët të përbashkët mes Serbisë dhe Kosovës. Vlerësimi i BE-së është se kjo është e pranueshme për Serbinë dhe në anën tjetër për Kosovën. Marrëveshja nënkupton njohjen e Serbisë, por në të njëjtën kohë nënkupton që Serbia nuk do ta njohë zyrtarisht Kosovën. Do të thosha se ky është kreativiteti maksimal i diplomacisë së Brukselit në zgjidhjen e kësaj çështjeje”, tha ai për mediumin opozitar serb Nova.rs.

Groshelj shtoi se marrëveshja është krijuar në atë mënyrë që asnjëra palë nuk mund ta refuzojë atë, derisa potencoi se “nëse nënshkruhet, do të kërkojë përfundimisht negociata shtesë për disa detaje”.

“Mendoj se kjo është vetëm një marrëveshje ombrellë dhe se ideja është të bien dakord më vonë, kur gjërat të fillojnë të funksionojnë, për gjëra për të cilat ata nuk mund të bien dakord tani. Kam përshtypjen se një ide e tillë është në prapavijë dhe se BE-ja dhe SHBA-ja aktualisht po përpiqen të bindin palën kosovare, serbe dhe shqiptare, sepse në këtë proces ka rol edhe diplomacia e tyre dhe kryeministri Edi Rama.

Kur pyetet se a është vërtet e nevojshme që do ketë njohje reciproke në fund të procesit, ai thekson se “nuk mendoj se kjo është një ide për momentin”.

“Është një synim në një të ardhme afatmesme apo afatgjatë. Me sa kuptova, tani primare është zvogëlimi i mundësisë së tensioneve të reja, përshkallëzimit dhe destabilizimit të marrëdhënieve. Dhe nuk po flas vetëm për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por gjithë Ballkanit Perëndimor”.

Ai theksoi se rreziku i madh për Serbinë është se disa vende anëtare të BE-së e shohin atë si “Rusi ballkanike”.

“Numri i vendeve që kanë këtë pikëpamje po rritet dhe kjo nuk është e mirë. A do të ishte mirë për Serbinë vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë? me siguri. Kjo do të kontribuonte në forcimin e pozicioneve të saj negociuese në rrugën drejt BE-së. Kjo pikë është gjithmonë në agjendë, sa herë që flisni për Serbinë sot. Kjo çështje tani në Bruksel trajtohet si ‘ose je me ne ose je kundër nesh’ dhe në këtë kontekst do të ishte mirë që Serbia të fillojë procesin e distancimit nga Rusia, të vendosë sanksione dhe të zvogëlojë ndikimin e Rusisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore