Lajme

Eurodeputeti austriak që vëzhgoi zgjedhjet në Serbi: Pamë prova të regjistrimit masiv të votuesve fantazmë


Andreas Schider, udhëheqës i delegacionit të Partisë Socialdemokrate të Austrisë në Parlamentin Evropian, i cili ishte vëzhgues në zgjedhjet lokale dhe krahinore që u mbajtën më 17 dhjetor në Serbi, në një intervistë për mediumin serb Danas ka thënë se “pamë prova të regjistrimit masiv të votuesve fantazmë”.

“Përveç shkeljes së fshehtësisë së votimit, ka pasur edhe raportime për regjistrim masiv fantazmë të votuesve dhe transport me autobus, si dhe blerje votash dhe fotografim të kutive të votimit. Më parë kishte shqetësime për frikësimin dhe ngacmimin e gazetarëve. Kjo ngre dyshimin se ka pasur parregullsi, të cilat duhet të hetohen në mënyrë të pavarur, tha Schider.

Ai ka shtuar se me këtë listë të gjatë akuzash dhe dyshimesh për ekzistimin e parregullsive, është e rëndësishme të krijohet një pasqyrë e qartë e këtyre çështjeve, mundësisht përmes një hetimi të pavarur profesional, i cili do të pranohej nga të gjithë aktorët politikë.

Kemi vërejtur keqpërdorim të burimeve publike, mungesë të ndarjes së funksioneve zyrtare nga aktivitetet e fushatës, si dhe presione ndaj votuesve, duke përfshirë edhe rastet e blerjes së votave. Në përgjithësi, presioni ndaj votuesve, theksimi i diskreditimit personal të kundërshtarëve dhe retorika e ashpër gjatë fushatës janë shumë shqetësuese”, shtoi politikani austriak.

Serbia përfundoi edhe një cikël zgjedhor, por rezultatet sugjerojnë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, do të vazhdojë dominimin mbi skenën politike serbe dhe do të forcojë kontrollin, ndërsa shumë eurodeputetë kanë bërë thirrje për hetim të pavarur për të gjitha parregullsitë e raportuara, veçanërisht mbi votuesit ilegalë të ardhur nga pjesë të ndryshme të rajonit.

Raportuesja për Kosovën në PE dhe pjesë e delegacionit evropian për monitorimin e zgjedhjeve, Viola von Cramon, tha javën e kaluar se procesi zgjedhor në Serbi është përcjellur me parregullsi para dhe gjatë ditës së votimeve, duke kërkuar hetim ndërkombëtar.  Ajo nënvizoi se gjatë procesit janë keqpërdorur burimet administrative dhe janë blerë një numër i votave.

Sipas rezultateve preliminare të Qendrës për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID), partia në pushtet – Partia Progresive Serbe (SNS) – ka fituar mbi 46 për qind të votave (rreth 129 mandate), bazuar në mbi 65 për qind të mostrave të përpunuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore