Euro 2020

EURO 2020 përmes “fantazisë”


Lojërat digjitale janë bërë tashmë një realitet i pashmangshëm, por njëkohësisht shumë i bukur i kompeticioneve më të mëdha futbollistike.

Premier League ka filluar tash e shumë vite dhe ligat e tjera e kanë ndjekur shembullin viteve të fundit.

Njëlloj ka bërë UEFA me Champions League, e tash edhe me Evropianin që fillon sonte.

Këto lloj lojëra zakonisht përfshijnë një skuadër që quhet “fantasy team”, por UEFA ka shtuar edhe disa të tjera.

Çfarë është “fantasy football”?

“Fantasy football” është një lojë që të jep mundësinë për të zgjedhur një formacion me 11 startues dhe katër rezervistë.

Të gjithë lojtarët kanë çmime të ndryshme në bazë të pozitës dhe pritshmërive që krijohen mbi ta.

Loja të ofron 100 milionë euro të shpenzosh për të zgjedhur 15 futbollistë, nga të cilët janë:

Dy portierë, pesë mbrojtës, pesë mesfushorë dhe tre sulmues.

Buxheti do të rritet në 105 milionë pas fazës së grupeve, kur numri i skuadrave reduktohet.

Në fazën e grupeve mund të zgjedhësh vetëm tre futbollistë të një shteti.

Pas fazës së grupeve, mund të zgjedhësh katër lojtarë të një skuadre.

Në çerekfinale, mund të zgjedhësh pesë, në gjysmëfinale gjashtë, kurse në finale, tetë të një skuadre, e shtatë të tjerë.

Formacioni mund të zgjidhet në cilën do mënyrë që do ti, nuk të limiton vetëm në 4-3-3.

Çdo javë mund të zgjedhësh kapitenin, i cili merr dyfishin e pikëve.

Si funksionojnë pikët?

Pjesëmarrje: 1 pikë.

Më shumë se 60 minuta: 2 pikë.

Golat: Portieri ose mbrojtësi 6 pikë për gol, mesfushori 5 pikë, sulmuesi 4 pikë.

Gol nga jashtë zonës: 1 pikë.

Asistim: 3 pikë, për secilën pozitë.

Porta e paprekur: Portieri dhe mbrojtësi 4 pikë, mesfushori 1.

Fitimi i penalltisë: 2 pikë.

Shkaktimi i penalltisë: -1 pikë.

Humbja e penalltisë: -2 pikë.

Pritja e penalltisë: 5 pikë.

Për çdo dy gola të pësuar në një ndeshje: -1 pikë për portierin dhe mbrojtësin.

Për çdo tre pritje brenda një ndeshjeje: 1 pikë për portierin.

Karton i verdhë: -1 pikë.

Karton i kuq: -3 pikë.

Transferimet

Pas çdo ndeshje lejohen dy zëvendësime falas, çdo zëvendësim ekstra kushton -4 pikë.

Pas fazës së grupeve, lejohen ndërrime pa kufi.

Para çerekfinaleve lejohen tre, e nga pesë lejohen para finales dhe gjysmëfinaleve.

Wildcard: Mund të përdoret vetëm një herë gjatë kompeticionit, të lejon përdorimin e transfereve pa limit.

Limitless: Të lejon ndërrimin e gjithë skuadrës vetëm për një javë, pastaj kthehet ashtu siç e ke pasur.

Kjo është pak a shumë si funksionon fantazia elektronike e futbollit para EURO 2020.

Lojërat e tjera

Parashikuesi i ndeshjeve: Të gjithë mund të parashikojnë çdo ndeshje me rezultatin që ata mendojnë, e pikë do të marrin në bazë se sa afrohen, ose sa i qëllojnë.

Parashikuesi i kompeticionit: Një herë mund të parashikosh mënyrën se si shkojnë grupet dhe faza me eliminim, duke zgjedhur fituesin tënd të EURO 2020.

UEFA sjell një dimension ndryshe për të shijuar edhe më shumë kompeticionin më madhor në kontinentin e vjetër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore