Euro 2020

Euro 2020 ngre siparin, 24 kombëtare në garë për trofeun e edicionit të 16-të


Kampionati Europian i Futbollit, Euro 2020, do të ngrejë siparin të premten e 11 qershorit. Sfida hapëse e këtij edicioni do të jetë midis Italisë dhe Turqisë, në “Stadio Olimpico” të Romës. Një muaj do të zgjasë kampionati, për t’u përmbyllur në finalen e madhe të 11 korrikut, në stadiumin “Wembley” të Londrës.

Euro 2020 ishte programuar të luhej vitin e kaluar, por për shkak të pandemisë së Covid-19 u shty për në verën e këtij viti. Janë 24 ekipe kombëtare që marrin pjesë në Euro 2020, të ndara në gjashtë grupe me nga katër skuadra.

Grupi A: Itali, Turqi, Uells dhe Zvicër.

Grupi B: Danimarkë, Finlandë, Belgjikë dhe Rusi.

Grupi C: Austri, Maqedoni e Veriut, Holandë dhe Ukrainë.

Grupi D: Angli, Republika Çeke, Skoci dhe Kroaci.

Grupi E: Poloni, Spanjë, Sllovaki dhe Suedi.

Grupi F: Hungari, Portugali, Francë dhe Gjermani.

Ndeshja që do të ngrejë siparin e Euro 2020 në mbrëmje, ajo mes Italisë dhe Turqisë, do të fillojë nga ora 21:00.

Sfidat e tjera, në ditët në vazhdim, do të luhen në oraret 15:00, 18:00 dhe 21:00. Në bazë të kalendarit janë programuar që të luhen dy, tre ose katër ndeshje në një ditë, derisa të përfundojë faza e grupeve.

Në raundin e të 16-ve, do të luhen dy ndeshje në ditë, përkatësisht në orarin 18:00 dhe 21:00. I njëjti sistem do të jetë edhe për fazën e çerekfinaleve.

Në fazën e gjysmëfinaleve do të ndryshojë sistemi, pasi do të luhet nga një ndeshje në ditë dhe orari do të jetë fiks, ai 21:00.

Finalja e madhe, ajo në “Wembley”, do të zhvillohet më 11 korrik, në orën 21:00.

Historiku i Kampionatit Europian të Futbollit

Kampionati Europian i Futbollit u krijua 63 vite më parë, në 1958.

Kjo është një garë që mbahet çdo katër vite. Euro 2020 do të jetë edicioni i 16-të i Kampionatit Europian të Futbollit.

Fillimisht në këtë kompeticion në fazat finale merrnin pjesë vetëm tetë kombëtare. Më pas, numri i tyre erdhi në rritje, duke u bërë me 16 dhe me 24, sa është dhe aktualisht.

Dy kombëtaret më me trofe në Europian janë: Gjermania dhe Spanja, me nga tre trofe. Franca ka dy trofe dhe nga një trofe kanë fituar Italia, Republika Çeke, Holanda, Portugalia, Danimarka, Greqia dhe Bashkimi Sovjetik.

Portugalia është fituesja e fundit e trofeut, pasi mundi Francën në finalen e Euro 2016 me golin e Eder-it, në kohën shtesë të 30 minutave. Eder-i shënoi në minutën e 109-të, duke i dhuruar trofeun e parë Portugalisë në këtë kompeticion.

Kombëtaret, që kanë humbur më shumë finale të Europianit, janë: Gjermania tri herë, Bashkimi Sovjetik tri herë, Italia dy herë, Jugosllavia dy herë dhe nga një herë kanë humbur Spanja, Franca, Republika Çeke, Portugalia dhe Belgjika.

Por, çfarë do të ketë ndryshe Euro 2020 nga herët e kaluara?

Do të jenë disa ndryshime të mëdha këtë kompeticion. E para, do të luhet në 11 vende të ndryshme, si kurrë më parë. Herët e kaluara, Europiani është mbajtur në një ose dy shtete. Vendet pritëse të këtij edicioni janë: Italia, Azerbajxhani, Danimarka, Rusia, Anglia, Skocia, Rumania, Holanda, Hungaria, Gjermania dhe Spanja.

E dyta, në këtë kompeticion do të përdoret për herë të parë sistemi ndihmës me video për arbitrat, i njohur si VAR-i.

E treta, numri i lojtarëve në ekipet pjesëmarrëse është rritur nga 23 në 26 lojtarë.

E katërta, do të ketë gjithashtu edhe pesë zëvendësime, por me vetëm tre pushime, brenda 90 minutave. Nëse ndeshja shkon në kohë shtesë, atëherë do të lejohet edhe një zëvendësim dhe një kohë pushimi.

Pra, në total, nëse një ndeshje shkon në kohën shtesë, do të ketë gjashtë zëvendësime, pesë brenda 90 minutave dhe një në 30 minutat e kohës shtesë.

Por, nëse brenda 90 minutave, një ekip nuk kryen pesë zëvendësime, por për shembull kryen vetëm tre, ai ekip nuk mund t’i kryejë dy zëvendësimet e mbetura në kohën shtesë të 30 minutave, por vetëm një të tillë mund të kryejë, atë të gjashtin.

E pesta, tifozët nuk do të lejohen të mbushin stadiumet, siç ka qenë në të kaluarën. Në kushtet e pandemisë, që është aktive ende dhe siç jemi mësuar tashmë, stadiumet nuk do të jenë në 100% e tyre, por do të jenë në masë më të vogël, në bazë të secilit vend dhe duke respektuar masat anti-Covid.

Lista e stadiumeve pritëse të Euro 2020 dhe prania e tifozëve në shkallët e tyre:

“Johan Cruyff Arena” – Holandë, 33.3% ose 16 mijë tifozë të pranishëm.

“Olympic Stadium” – Azerbajxhan, 50% ose 34 mijë 350 të pranishëm.

“Arena Naționala” – Rumani, 25% ose 13 mijë tifozë të pranishëm.

“Puskas Arena” – Hungari, 100% ose 67 mijë 215 tifozë të pranishëm.

“Parken Stadium” – Skoci, 40% ose 15 mijë e 900 tifozë të pranishëm.

“Wembley Stadium” – Angli, 25% ose 22 mijë e 500 tifozë të pranishëm

“Allianz Arena” – Gjermani, 20% ose 14 mijë tifozë të pranishëm.

“Stadio Olimpico” – Itali, 25% ose 17 mijë 659 tifozë të pranishëm.

“Krestovsky Stadium” – Rusi, 50 % ose 34 mijë e 067 tifozë të pranishëm.

“La Cartuja” – Spanjë, 30% ose 18 mijë tifozë të pranishëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore