Libra

Etika utilitariste


Ilustrim utilitarist

Utilitarizmi, në kuptimin teorik, ishte tentimi i parë për të ndërtuar një teori etike sekulare mbi shoqërinë, një teori që i drejtohet mirëqenies së prekshme njerëzore, pa u thirrur në ide të larta mbinjerëzore ose religjioze.

Utilitarizmi, si teori etike, është doktrinë që proklamon lumturinë e njeriut “në këtë botë”, dhe aranzhimin e intitucioneve shoqërore për t’i shërbyer kësaj lumturie, të “kësaj bote”.

Francis Hutcheson, një prej etërve të iluminizmit skocez, ishte i pari që përdori shprehjen që u bë edhe kredo e utilitarizmit “e mira më e madhe për numrin më të madh të njerëzve”. Hutcheson është paralajmëruesi i utilitarizmit, kurse themeluesi është Jeremy Bentham.

Bentham jo vetëm që e pohoi këtë doktrinë, por në mënyrë të detajuar ndërtoi analizë pozitive dhe normative të shoqërisë. Ai konsideronte që të gjitha politikat publike duhet të gjykohen në bazë të këtij kriteri, kriterit të lumturisë më të madhe, për numrin më të madh të njerëzve.

“Natyra e ka vendosur njeriun nën qeverisjen e dy pushteteve sovrane, kënaqësisë dhe dhimbjes. Në raport me këta dy duhet të vendosin ç’duhet të bëjmë”, shkruan Bentham në veprën e tij kanonike “Parimet e Moralit dhe Ligjvënies” (1780).

Propozicionet fondamentale mbi të cilat Bentham ndërton doktrinën e tij janë se njeriu, konsideruar në ndërtimin psikologjik të tij, udhëhiqet nga dëshira për kënaqësi (propozicioni pozitiv), dhe mosdëshira për dhimbje. Dhe janë këty dy motorë kryesorë të të gjithë sjelljes dhe veprimit të tij.

Kurse propozicioni i dytë, rrjedhimisht nga i pari, ka të bëjë me atë se i vetmi objekt ose synim i vlefshëm moral është përmbushja e të parës (propozicioni normativ), kënaqësisë, e cila në esencë është negacion i dhimbjes.

Francis Ysidro Edgeworth, një prej figurave të rëndësishme të teorisë neoklasike të ekonomisë, parashihte një ditë kur shkenca do të zhvillojë “hedonometrinë” (matësin e lumturisë), e cila do të bënte të mundur që të matej kuantifikisht kënaqësia dhe dhimbja, e në bazë të tyre të përllogariteshin politikat sociale neto.

Pas Bentham-it, figurë kryesore e doktrinës utilitariste është John Stuart Mill-i.

Megjithëse John Stuart Mill nuk është utilitarist i rreptë, dhe me dozime të konsiderueshme të romantizmit, në esenë e tij Utilitarizmi, ai analizon në mënyrë të tërthorë kënaqësinë dhe dhimbjen, dhe mënyrat se si të operohet politikisht duke u thirrur në maksimizimin e njërës, dhe minimizimin e tjetrës.

Edhe për Mill-in, veprimet janë të mira në proporcion me atë se sa kënaqësi ata prodhojnë për numrin më të madh të njerëzve të afektuar, dhe anasjelltas, të këqija për arsyen e shkaktimit të ndjenjave të kundërta me lumturinë.

Dallimi i utilitarizmit të Jeremy Bentham me atë të John Stuart Mill ka të bëjë me atë se Bentham është i preokupuar me sasinë e lumturisë të prodhuar, kurse Mill-i edhe sasinë edhe cilësinë e asaj lumturie të prodhuar. Mill konsideron se edhe kënaqësia i nënshtrohet njëfarë hierarkie, disa kënaqësi duke qenë më superiore ndaj disave tjera më inferiore.

Dhe shpesh kjo hierarki kënaqësish, është shtyrë edhe në esktrem logjike të saj, duke përfunduar në njëfarë aristokracie morale dhe kulturore inherente në mendimin e Mill-it. Dhe rrjedhimisht, vënë në piedestalin politik, kjo do të nënkuptonte një klasë njerëzore që determinon cilat kënaqësi duhet të kultivohen dhe të gjykohen si të mira.

Megjithatë, një filozofi testohet me atë se si njerëzit e përdorin, e jo se çka është inherente në të.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore