Lajme

Estonia heq monumentin e tankut të epokës sovjetike


Në Estoni, autoritetet kanë hequr një tank të epokës sovjetike në qytetin lindor Narva.

Çka konsiderohet si heqja më e rëndësishme nga rreth 200 deri në 400 monumente të tilla që qeveria është zotuar t’i heqë deri në fund të vitit.

Po ashtu shënon edhe lëvizjen më të fundit kundër Rusisë nga vendet e Ballkanit.

Edhe Finlanda ka njoftuar se do të ulë numrin e vizave që u lëshon rusëve në dhjetë për qind të vëllimeve aktuale pas shqetësimit në rritje për turizmin rus.

Për kryeministren Kaja Kallas, pas pushtimit rus të Ukrainës, monumentet sovjetike në Estoni nuk ishin më vetëm një çështje lokale.

“Askush nuk dëshiron të shohë fqinjin tonë militant dhe armiqësor të nxitë tensione në shtëpinë tonë”, ka thënë Kallas.

Shteti Baltik ishte një republikë sovjetike nga viti 1944 deri në vitin 1991 dhe gati një e katërta e popullsisë prej 1.3 milionë banorësh janë rusë etnikë.

“Nuk do t’i lejojmë Rusisë mundësinë për të përdorur të kaluarën për të prishur paqen në Estoni”, ka vijuar Kallas.

Sakaq, qeveria ka njoftuar synimin për të hequr të gjitha monumentet e epokës sovjetike në fillim të këtij muaji.

E gjitha pasi pushtimi i Ukrainës nga Moska ka “hapur plagë që kujtojnë këto monumente të epokës komuniste”.

Njoftimi u prit me armiqësi nga disa në Narva, në kufirin e Estonisë me Rusinë, ku vetëm katër për qind e banorëve janë estonezë etnikë dhe më shumë se 80 për qind janë rusë etnikë.

Kjo ka bërë që qeveria të ndërhyjë shpejt për të kundërshtuar “tensionet dhe konfuzionin në rritje”.

Puna për heqjen e tankut T-34 dhe dy monumenteve të tjera sovjetike në qytet filloi menjëherë pas agimit të së martës dhe përfundoi në mes të mëngjesit.

Tanku do të shfaqet në muzeun kombëtar të luftës estoneze pranë kryeqytetit, Talin.

Sipas ministrit të brendshëm Lauri Läänemets, konsideratat e rendit publik janë parësore.

“Shumë vendas kujdesen për heqjen e monumenteve, por lufta duhet të përkujtohet pa konflikte dhe kërcënime të provokimeve”, ka thënë ai.

Atje, heqja e monumenteve sovjetike ka shkaktuar trazira në të kaluarën.

Zhvendosja e një statuje të njohur si Ushtari i Bronzit në Talin në prill 2007 çoi në dy net trazirash dhe plaçkitjesh, gjatë të cilave u vra një protestues rus.

Nga ana tjetër, Moska i  ka kritikuar këto plane të Estonisë.

“Eliminimi i monumenteve për ata që shpëtuan Evropën nga fashizmi është i egër, sigurisht”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

“Kjo nuk i jep asnjë meritë asnjë kombi”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, edhe në Letoni u miratua një ligj që kërkon që të gjitha “monumentet që lavdërojnë regjimin sovjetik” që nuk ndodhen në varreza të çmontohen deri më 15 nëntor.

Kurse veprat me interes artistik të transferohen në Muzeun e Pushtimit në Riga.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore