Kosova

ESI: Bllokimi i Kosovës për shkak të një Asociacioni që s’ekziston askund – një pikë e ulët në historinë e Këshillit të Evropës


Ilustrim

Në një raport të Iniciativës Evropiane për Stabilitet (ESI) mbi rrugën e mëtejshme të Kosovës drejt Këshillit të Evropës konsiderohet se bllokimi potencial i anëtarësimit të vendit të vogël ballkanik në këtë organizatë evropiane për shkak të refuzimit për të themeluar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe do jetë një “pikë e ulët” në historinë e Këshillit të Evropës.

Shtetet e QUINT – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Gjermania, Italia dhe Britania e Madhe – duan lëvizje reale drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, posaçërisht dërgimin e një draft-statuti për këtë mekanizëm për serbët në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës përpara se vendet të bien dakord për pranimin potencial të Kosovës.

Në raportin e ESI-së vlerësohet se themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, veçanërisht në bazë të kërkesës së presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, asnjë qeveri në Kosovë nuk mund ta bëjë, duke e cilësuar mes tjerash “kurth” për qeveritë kosovare dhe ndërmjetësit ndërkombëtarë sepse askund tjetër në Evropë qeveritë nuk themelojnë asociacione.

“Megjithatë, është gjithashtu e qartë se në shtetet anëtare të Këshillit të Evropës asociacionet e komunave nuk krijohen askund nga qeveritë. Asociacionet krijohen nga ata që duan të bashkohen. Legjislacioni i Kosovës tashmë e lejon këtë. Pra, pse nuk ndodh?”, argumenton ESI-ja.

“Asgjë nuk i ndalon asnjë apo të gjitha nga dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë që të krijojnë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Për ta bërë këtë, ata nuk kanë nevojë për lejen e qeverisë së Kosovës, qeverisë serbe, ambasadorëve në Prishtinë apo Këshillit të Evropës”.

ESI-ja ndër të tjera nënvizon se kërkesa e vazhdueshme për një asociacion të serbëve jashtë kornizave kushtetuese të Kosovës apo sui generis nga modelet e tjera evropiane, ka qenë “një kryevepër e hipnozës politike” të presidentit serb: “Bllokimi i Kosovës për shkak të një gjuetie të dështuar për një njëbrirësh politik do të jetë një pikë e ulët në historinë e Këshillit të Evropës”.

Kosova u mbështet nga shumica dërrmuese e deputetëve në Asamblenë e Parlamentare të Këshillit të Evropës për të kaluar fazën e parafundit drejt anëtarësimit në këtë organizatë të rëndësishme evropiane, ndërsa lëvizjet reale politike pritet të nisin në prag të takimit të Këshllit të Ministrave të Jashtëm – organi vendimmarrës i organizatës – në mes të muajit maj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore