Kosova

Escobar te Kurti për “shpëtimin” e marrëdhënieve të Kosovës me Perëndimin


Ilustrim: Gabriel Escobar

Raportet e Kosovës me Perëndimin, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në pikën më të ulët prej kur Banka Qendrore e Kosovës nisi zbatimin e rregullores e cila ndaloi përdorimin e valutës shtetërore serbe, Dinarin, për shit-blerje e transaksione financiare në territorin e Kosovës.

Çarjen e raporteve fillimisht e kishte konfirmuar ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, e një qëndrim të tillë betonoi, Gabriel Escobar, i cili të mërkurën do të qëndrojë në Kosovë, për të “shpëtuar” marrëdhëniet tashmë të dëmtuara të Qeverisë me komunitetin ndërkombëtar.

I deleguar i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor në një konferencë për media të martën – bisedë kjo e cila parapriu vizitës së tij në Kosovë – rikonfirmoi se Amerikanët kanë probleme në komunikim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

“Partneriteti në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, mes popullit amerikan dhe atij të Kosovës, nuk depërton përmes një njeriu në Kosovë, apo një partie. Mirëpo, më duhet të them që aktualisht kemi probleme në komunikim me kryeministrin”, ka pohuar ai.

Probleme në komunikim me Kurtin, sipas Escobar, nuk kanë vetëm Amerikanët, por edhe pjesa tjetër e botës perëndimore.

“Dhe jo, vetëm SHBA-ja, është problem që e ka Kosova edhe me BE-në, NATO-n, Mbretërinë e Bashkuar dhe më shumë partnerë, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Escobar: SHBA-ja, BE-ja, Mbretëria e Bashkuar kanë probleme në komunikim me Kurtin

Duke folur për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, top-diplomati amerikan, ka potencuar se bisedimet janë në një fazë kritike.

Ai e ka pranuar se Uashingtoni ka probleme në drejtimin e Marrëveshjeve së Brukselit/Ohrit “në rrugën e duhur”, dhe që sipas perspektivës amerikane, “nuk ekziston asnjë alternativë përveç dialogut”.

“Nuk ka alternativë dialogu i lehtësuar nga Brukseli, ai ka qenë mekanizmi për zgjidhjen e shumë çështjeve mes Kosovës dhe Serbisë dhe tejkalimin e dallimeve. U kërkoj palëve që të respektojnë të gjitha marrëveshjet posaçërisht aneksin e Ohrit, të dëshmojnë përkushtim. Kjo është një nga arsyet kryesore pse e vizitoj rajonin”, nënvizoi ai.

I pyetur për pasojat e mundshme ndaj Kosovës dhe Serbisë për moszbatim të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, Escobar e ka përmendur ngadalësimin në rrugën e integrimeve evropiane.

Për çështjen e rregullores së BQK-së dhe rrjedhimisht ndalimin e Dinarit në Kosovë, Escobar e ka quajtur vendimin “katastrofal”.

Prandaj, ai ka kërkuar që Qeveria e Kosovës t’i marrë parasysh shqetësimet e ndërkombëtarëve për mënyrën se si po e trajton komunitetin serb në këtë rast.

“Qeveria nuk ofroi alternativ si t’i pranojnë pagesat dhe këta njerëz u privuan nga to. Duhet që Qeveria të punojë me komunitetin ndërkombëtar që të gjejë zgjidhje për këtë vendim katastrofal, që krijon kaos në ekonominë e Kosovës”, ka thënë ai.

Escobar e ka përsëritur që Shtetet e Bashkuara nuk e kundërshtojnë legjitimitetin e vendimit, mirëpo kanë probleme me mënyrën e zbatimit dhe për efektin që ka te komuniteti serb.

Ai ka thënë se gjatë vizitës në Prishtinë, do të ketë në fokus një “zgjidhje të mundshme për vendimin e pakoordinuar për të ndaluar dinarin si dhe për transferet prej Serbisë për qytetarët e Kosovës, të cilët varen prej tyre”.

I pyetur pse ende nuk është dërguar draft-statuti i Asociacionit për shqyrtim në Gjykatën Kushteteuse, Escobar ka potencuar se në këtë fazë është vështirë të kuptohet arsyeja.

“Ne inkurajojmë Kosovën të ecë para, Asociacioni nuk do të jetë një Republikë Srpska, nuk ka shtet brenda shteti, nuk ka asgjë në statut që lejon një autoritet ekzekutiv, ose fuqi ekzekutive. Kemi dëgjuar shumë arsye pse s’është dërguar në Kushtetuese, apo ecur përpara, por ne i refuzojmë të gjitha, duhet të ecë përpara sa më parë”, ka pohuar ai.

Top-diplomati amerikan ndër të tjera ka potencuar se me formimin e Asociacionit do të zgjidhej edhe çështja e valutës shtetërore serbe, Dinari.

Me një gjuhë shumë të drejtpërdrejtë që jo shumë diplomatë kanë guximin ta përdorin, O’Brien, muaj më parë kishte treguar se Kurti u kishte dhënë premtime ndryshe për çështjen e dinarit, por më pastaj ka vepruar ndryshe në terren duke vënë në pikëpyetje kështu edhe partneritetin me SHBA-të.

Për këtë arsye dorës e djathtë e Madeleine Albright në një intervistë të dhënë për Zërin e Amerikës, si asnjëherë më parë artikuloi kritika të rënda në drejtim të kryeministrit të Kosovës, duke cilësuar Kurtin si të “paaftë” në qeverisje.

I pyetur se a kishte biseduar me Kurtin për shqetësimet e SHBA-ve lidhur me vendimin e BQK-së për ndalimin e dinarit në territorin e Kosovës, numri një i amerikanëve për Evropën deklaroi se “kemi pasur disa biseda në periudhën para se të shpallej vendimi dhe një shkëmbim të shkurtë më pas”.

Në pyetjen se si Kurti e kishte pritur vlerësimin e tij lidhur me këtë çështje, top-diplomati amerikan kishte potencuar se ai “ka kuptuar shqetësimet” dhe se ka premtuar “se do të punonte për to”.

Por, çudia në sytë e tij kishte ndodhur më pas kur Kurti krye në vete – ndryshe nga çfarë kishte premtuar – kishte proceduar me vendimin.

“Qartazi vendosi miratimin e vendimit. Nëse ai nuk na trajton si partner, kjo ngre pikëpyetje nëse ne mund ta konsiderojmë këtë qeveri si partnere”, vlerësoi ai.

Pjesa më problematike e kësaj interviste ishte pyetja pasuese e gazetarit dhe deklarata shqetësuese e me një mesazh të rëndë e O’Brien, i cili, si kurrë më parë, vuri në pikëpyetje marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe SHBA-ve.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, tha O’Brien kur u pyet se a planifikojnë SHBA-të të veprojnë njëjtë si Bashkimi Evropian duke vendosur masa Kosovës, nëse ekzekutivi këmbëngul në qëndrimin e saj.

Kritika si asnjëherë tjetër të Amerikës për Kryeministrin e Kosovës

Më tej duke potencuar se vendimi i BQK-së kishte zënë në befasi komunitetin serb në Kosovë, O’Brien kishte vlerësuar se “kjo nuk është formë e qeverisjes efektive” dhe se një gjë e tillë tregon “paaftësinë e Qeverisë së Kosovës”.

Ndryshe Escobar, nesër do të qëndrojë në Kosovë për t’u takuar me krerët e vendit.

Temë diskutimi do të jetë dialogu me Serbinë dhe çështja e dinarit.

Por, përveç udhëheqësve institucional, Escobar pritet të takojë edhe liderët opozitar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore