Sport

Ervin Skela kërkon mbështetjen maksimale për Kombëtaren e Shqipërisë pas humbjes kundër Izraelit


Humbja ndaj Izraelit shkatërroi shpresat e Shqipërisë për t’u pozicionuar në pozitën e parë në grupin e tyre në Nations League.

Ish futbollisti i Kombëtares shqiptare, Ervin Skela, ka reaguar pas kësaj ndeshje, duke kërkuar nga të gjithë të qëndrojnë pranë ekipit përfaqësues:

“Nga lotët për fitoren me Greqinë, te ankthi i Beogradit, nga ngazëllimi i kualifikimit në finalet e europianit të 2016-s, te trishtimi i mbrëmshëm në Izrael, janë të gjithë kapituj që shkruajnë historinë tonë. Jo të gjithë kapitujt e jetës janë të bukur. Ne shumë prej tyre derdhim edhe lot, por gjithnjë duhet të kuptojmë se duhet më shumë besim për të parë drejt së ardhmes”.

Ai më tej shtoi se fanella kuqezi nuk ka emër, dhe se të gjithë duhet ta mbështesin Kombëtaren e Shqipërsië në të mirë dhe në të keqe.

“Fanela kuqezi nuk ka emër, as timin dhe as të atyre që kanë qenë dhe atyre që do të vine. Fanela kuqezi ka krenarinë e çdo shqiptari. Vetëm kur mban veshur këtë fanelë arrin të kuptosh sa e rëndë është, sa përgjegjësi ke, për atë moment dhe për ato që do të vinë pas teje”.

“Vetëm kur e vesh atë fanelë kupton se është lagur me djersen e shumë korifejve të futbollit, është zhubrosur nga grinta e tyre, është mbushur me talentin e paçmuar të të gjithëve atyre që e kanë patur atë nder. Kombëtarja ka patur, ka dhe do të ketë një histori. Jemi ne që duhet ta duam njësoj, ne ditë të mira dhe në ditë të këqija. Ndaj ky është momenti i duhur që ta duam dhe të jemi më pranë ekipit kombëtar, se kështu respektojmë më shumë ngjyrat kuqezi”.

Skela beson që Shqipëria ka një ekip me futbollistë shumë të talentuar, që vetëm duan besimin e tifozëve.

“Ekipi kombëtar është emblemë, është dëshirë, pasion, mbi të gjitha besim. Besim që marrim prej atyre që luajnë në fushën e lojës dhe besim prej nesh që duhet ti mbështesim .Dhe unë jam besimplotë se kemi një skuadër me futbollistë shumë të talentuar, kemi djem të mrekullueshëm, që duan më shumë besim, më shumë zemer, më shumë vendosmëri”.

Përfundimisht, ai tha që është çasti të bashkohen të gjithë për Kombëtaren e Shqipërisë, pasi iu duhet mbështetja më shumë se kurr, ai bëri thirrje gjithashtu, që të gjithë të shkojnë ta mbështesin Kombëtaren Kuqezi kundër Islandës, pavarësisht që kjo ndeshje nuk ka ndonjë rëndësi të madhe.

“Është çasti që të jemi të gjithë bashkë. Ta ngrenë kokën lart, krenare dhe të vendosur. Ti mbështesim, t’i mbushim me kurajo duke thirrur fort nga shkallët e stadiumit: o sa mirë me qenë shqiptar! Kombëtarja kërkon mbështetjen tonë sot, që ta duam edhe më shumë nesër. Të gjithë bashkë ne stadium për ndeshjen me Islandën!”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore