Sport

Eriksen tregon synimet për të ardhmen: Qëllimi të luaj në Kupën e Botës në Katar


Futbollisti danez, Christian Eriksen, rrezikoi seriozisht jetën gjatë Euro 2020. Në përballjen e fazës së grupeve me Finlandën, mesfushori pësoi arrest kardiak dhe falë ndërhyrjes së shpejtë të shokëve të ekipit dhe stafeve mjeksore arriti të shpëtonte.

Aktualisht, pasi ndërpreu me konsensus kontratën me Inter-in pak javë më parë, ai është duke u stërvitur për t’u rikthyer futbollit të luajtur.

Në një intervistë të gjatë për kanalin danez “DR1”, mesfushori ka folur rreth kohës kur ishte në spital dhe pas daljes prej tij.

“Është e mahnitshme që kaq shumë njerëz duan të më shkruajnë dhe të më dërgojnë lule”, tha Eriksen-i për “DR1”.

“Në spital vazhdonin të thoshin se ishin dorëzuar më shumë lule. Ishte një ndjenjë e çuditshme”.

“Nuk e mendoja se njerëzit do të më dërgonin ndonjëherë lule sepse kisha nderruar jetë për pesë minuta. Por ishte shumë e sjellshme nga të gjithë dhe ishte gjithashtu një mbështetje e madhe për mua”.

“Dhe ka ende njerëz që më shkruajnë”.

“Unë gjithashtu personalisht i falënderova të gjithë, mjekët, shokët e mi të skuadrës dhe familjet e tyre, por edhe tifozët që takoj në rrugë në Itali dhe Danimarkë. I falënderoj të gjithë për mbështetjen e tyre”, shtoi 29-vjeçari.

Eriksen ka rifilluar një jetë të qetë dhe pa stres, ndërkohë që po rifiton nivelin e tij fizik. Ai nuk lë pa përmendur as Kupën e Botës që zhvillohet këtë vit në Katar. Danezi dëshiron të jetë atje, në fushë, me kombëtaren e tij.

“Qëllimi im është të luaj në Kupën e Botës në Katar, unë dua të luaj. Është një qëllim, ëndrra ime. Jam i sigurt që mund të kthehem”, theksoi ish-lojtari i Tottenham-it.

“Fizikisht, jam sërish në formë të mirë, ndaj më duhet t’i rikthehem futbollit dhe të dëshmoj se mund ta arrij sërish këtë nivel. Është shumë e rëndësishme, dua të luaj me kombëtaren në Kupën e Botës”.

“Ëndrra ime është të bashkohem me ekipin kombëtar dhe të luaj sërish në Parken (stadiumi në Kopenhagen ku pati arrestin kardiak)”.

“Dua të tregoj se ajo që ndodhi në Kampionatin Evropian ishte unike. Edhe një herë do të jetë në dorën e trajnerit të vlerësojë nivelin tim, por zemra ime nuk është pengesë”, përfundoi 29-vjeçari.

Eriksen-i është pjesë e Danimarkës që nga viti 2010. Në total, ai numëron 109 paraqitje, 36 gola dhe 25 asiste.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore