Lajme

Erdogan shpall 7 ditë zie kombëtare, flamuri në gjysmështizë


Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka shpallur shtatë ditë zie kombëtare për shkak të tërmetit vdekjeprurës.

Erdogan në postimin e tij në Twitter shkroi se, “për shkak të tërmeteve që ndodhën më 6 shkurt 2023, është shpallur zie kombëtare për shtatë ditë”.

Ai njoftoi se flamuri do të valëvitet në gjysmështizë deri në perëndimin e diellit të dielën, më 12 shkurt 2023, në të gjithë vendin dhe brenda përfaqësive të huaja.

Me kërkimet në vazhdim, raportimet vendore tregojnë një numër prej të paktën 1651 personash, të cilët kanë humbur jetën në Turqi.

Teksa, në Siri, bilanci ka shkuar në 968 të vdekur dhe mijëra të plagosur deri tani.

Këto shifra, të vërtetuara edhe nga ministritë përkatëse të shëndetësisë.

Tërmeti goditi në orën 04:17 me atë lokale, në një thellësi prej 17.9 kilometrash, pranë qytetit Gaziantep, por në realitet të prekur kanë qenë 10 qytete në tërësi, përfshi edhe Diyarbakir-in.

Shumë prej ndërtesave janë shembur dhe qindra ekipe kërkim-shpëtimi ndodhen në terren për të bërë të mundur evidentimin e çdo të mbijetuari, apo trupi që ka humbur jetën.

Në një deklaratë për media, ishte ministri i Brendshëm turk, Suleymon Soylu, ai i cili bëri një bilanc paraprak, duke përsëritur se qytetet e prekura nga ana turke ishin Gaziantep, Kahramanmaras, Hatay, Osmaniye, Adiyaman, Malatya, Sanliurfa, Adana, Diyarbakir dhe Kilis.

Nga ana tjetër, në Diyarbakir, është raportuar nga korrespondetët e medias shtetërore britanike BBC, se një qendër e tërë tregtare është shembur, por nuk dihet nëse brenda saj kishte punëtorë të shumtë apo jo.

Prej anës siriane, raportimet janë më të pakta dhe priten përditësime mbi shifrat e humbjes së jetëve dhe dëmeve të shkaktuara.

Lëkundjet e forta u ndjenë gjithashtu në Liban dhe Qipro. Ndërsa, sizma më të lehta, janë ndjerë edhe në Lindjen e Mesme, me raportime deri në Rripin e Gazës, ku ka pasur tronditje për rreth 45 sekonda.

Turqia bën pjesë në një rrip sizmik, ndër më aktivët në gjithë botën dhe të tilla tërmete, nuk janë të rralla atje.

Në vitin 1999, më shumë se 17 mijë njerëz humbën jetën, pasi një tërmet i fortë goditi veri-perëndimin e vendit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore