Kosova

“The Guardian”: Pak besojnë se lufta Kosovë-Serbi është afër, por në Beograd flasin për ofensivë ushtarake


Ilustrim

Në një artikull të prestigjozes britanike “The Guardian” kushtuar shpërthimit të nacionalizimit konkurrues ballkanik në kuadër të kampionatit evropian të futbollit “Euro 2024” në Gjermani, megjithëse vlerësohet se gjasat për një konflikt të armatosur mes Kosovës dhe Serbisë janë të vogla, muraleve luftënxitëse në kryeqytetin serb duhet t’iu kushtohet vëmendje.

“Pak besojnë seriozisht se një tjetër konflikt në shkallë të plotë është i afërt. Por duhet vetëm një vizitë e shkurtër në Beograd për të parë murale gjigande dhe të freskëta, ndoshta të sanksionuara në heshtje nga shteti, që flasin për një tjetër ofensivë”, shkruan gazeta e njohur britanike në artikullin e titulluar: “Tensionet mes rivalëve ballkanikë barten në Euro 2024”.

Flamuj të Serbisë mbi hartën e Kosovës nën mbishkrimin “nema predaje/s’ka dorëzim” u shfaqën në stadiumin “Veltins-Arena” në Gelsenkirchen të Gjermanisë, ku Anglia dhe Serbia u përballën në kuadër të xhiros së parë të Grupit C. Në ulëset e stadiumit u panë edhe flamuj rusë në mesin e atyre serbë, derisa u dëgjuan edhe thirrjet raciste ndaj futbollistëve anglezë.

“Disa mijëra brohoritje në një stadium mund të mos kenë ndikim të menjëhershëm në shoqëri, por askush nuk mund të garantojë se efekti i tyre afatgjatë nuk do të ndihmojë në legjitimimin më të gjerë të qëndrimeve potencialisht katastrofike”, shkruan “The Guardian” në një artikull të fundit kushtuar bartjes së armiqësive të vjetra ballkanike edhe në Euro 2024.

“Një pjesë e tifozëve që brohoritën, valëvitën flamuj apo parulla nuk kanë qenë gjallë kur shpërtheu lufta në Kosovë… kujtesa e trashëguar, perspektivat e dobëta ekonomike dhe neglizhenca e qeverive janë vetëm tre arsye pse nacionalizmi toksik bëhet një lëvizje për mobilizimin e të rinjve… asnjë organ sportiv s’do të zgjidhë asgjë duke i këshilluar të qetësohen”.

Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) dënoi Federatën e Futbollit të Serbisë (FFS) për shkak të sjelljes së huliganëve serbë gjatë ndeshjes mes Anglisë dhe Serbisë. UEFA zbuloi se tifozët serbë transmetuan “mesazhe provokuese” të papërshtatshme për një ngjarje sportive. Megjithatë, mesazhe të njëjta kundër Kosovës u dëgjuan edhe gjatë takimit tjetër Serbi-Slloveni.

Ballkani Perëndimor në ankth nga huliganët e futbollit ndërsa fantazma e nacionalizmit agresiv serb rikthehet në Euro 2024

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore