Lajme

Erdogan: Putin po kërkon që t’i japë fund luftës


Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se beson se lideri rus, Vladimir Putin, po kërkon t’i japë fund luftës që filloi në Ukrainë.

Ai tha se përshtypja e tij nga bisedimet e fundit me Putin-in ishte se ai dëshironte “t’i jepte fund kësaj sa më shpejt të jetë e mundur”.

Ukraina ka rimarrë pjesë të territorit të saj këtë muaj. Udhëheqësi turk tregoi se gjërat ishin “mjaft problematike” për Rusinë.

Erdogan tha se ai “diskutoi shumë” me Putin-in në një samit në Uzbekistan javën e kaluar.

Në një intervistë me transmetuesin amerikan “PBS”, udhëheqësi turk u shpreh se kishte përshtypjen se presidenti rus dëshironte një fund të shpejtë të luftës.

“Ai në fakt po më tregon se është i gatshëm t’i japë fund kësaj sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Erdogan.

Presidenti turk shtoi gjithashtu se 200 “peng” do të shkëmbehen së shpejti midis dy palëve.

Ai nuk dha detaje të mëtejshme se kush do të përfshihej në një shkëmbim të tillë të burgosurish.

Vetë, Erdogan ka kërkuar vazhdimisht të ndërmjetësojë gjatë luftës, duke promovuar një qëndrim “të balancuar” për Turqinë anëtare të NATO-s, ndërsa kundërshton sanksionet perëndimore ndaj Rusisë.

Ai ndihmoi OKB-në të ndërmjetësonte një rifillim të eksporteve të grurit nga Ukraina dhe tha javën e kaluar se po përpiqej të organizonte bisedime të drejtpërdrejta për armëpushim.

Ndërkohë, dy muaj pasi forcat ruse morën kontrollin mbi të gjithë rajonin lindor të Luhanskut, Ukraina ka rimarrë një pjesë të territorit.

Udhëheqësi ukrainas i Luhansk, Serhiy Haidai tha se forcat ruse ishin tërhequr nga fshati Bilohorivka – por po bënin gjithçka që mundeshin për të gërmuar diku tjetër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore