Lajme

Erdogan padit nënkryetarin e Bundestag-ut, e quajti “mi kanalesh”


Nënkryetari i Bundestag-ut gjerman, Wolfgang Kubicki do të përballet me ndjekje penale për fyerje të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan.

Kjo, pasi politikani gjerman e quajti udhëheqësin turk një “mi të vogël kanalizimesh”.

Lajmi u bë i ditur nga botimi gjerman “Spiegel”.

Përmes një shkrese të datës 29 shtator, avokati me bazë në Koln, Mustafa Kaplan, paraqiti një kallëzim penal kundër Kubicki-t në emër të Erdogan-it, si dhe një kallëzim penal për fyerje dhe shpifje.

Letra prej shtatë faqesh i është dërguar prokurorisë së qytetit Hildesheim përmes juridiksionit lokal.

Në të thuhet se një fyerje është “një cenim i paligjshëm i nderit dhe dinjitetit të një personi tjetër”.

Shpifja është një deklaratë e rreme në lidhje me një person ndaj palëve të treta “e cila është e përshtatshme për të çnderuar personin në fjalë”.

Në këtë rast janë kryer të dyja veprat penale, beson avokati i presidentit turk.

Termi “miu i kanalizimeve” duhet kuptuar në atë mënyrë që Erdogan është një person “i cili konsiderohet moralisht i ulët, moralisht i degraduar dhe i neveritshëm”.

Nuk bëhet fjalë për kritika aktuale, por ekskluzivisht për shpifje.

Erdogan gjithashtu e ka të vështirë të pranojë shprehjen “edhe për arsye fetare”, “sepse Islami i refuzon ofendimet e tilla”.

Kubicki mbrojti deklaratat e tij.

Sipas tij, “miu i vogël i kanalizimeve” është “një krijesë e vogël, e lezetshme, por e zgjuar dhe dinake”.

Ajo shfaqet edhe në tregimet për fëmijë, në veçanti, nënkryetari përmendi lojën “Call of the Sewer Rat” dhe filmin “Ratatouille”.

Avokati Kaplan e vlerësoi këtë përgjigje si deklaratë mbrojtëse. As “Call the Sewer Rat” dhe as “Ratatouille” nuk kishin “asnjë lidhje me politikën turke të refugjatëve”.

Turqia ka thirrur të martën ambasadorin gjerman në Ankara për deklaratat fyese të nënkryetarit të Bundestag-ut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore