Lajme

Erdogan dhe Vuçiç do të ndërmjetësojnë dialogun politik mes liderëve të Bosnjës


Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan në takimin me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, lajmëroi se kanë rënë dakord që të dy presidentët të ndërmjetësojnë negociatat mes politikanëve të Bosnjës dhe Hercegobvinës për zgjidhjen e krizës duke filluar menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale të Serbisë.

Kriza në Bosnje dhe Hercegovinë u thellua vitin e kaluar me vendimin e njëanshëm të autoriteteve të entitetit serb të Bosnjës, “Republika Srpska”, për t’u tërhequr nga institucionet shtetërore, përfshirë forcat e armatosura, administratës tatimore dhe organeve të drejtësisë.

Turqia, e ciila qysh në fillim një lëvizje të tillë të entitetit serb e ka quajtur “të gabueshme dhe të rrezikshme”, tani më ka ofruar të ndërmjetësojë për një zgjidhje të krizës, e cila jo pak edhe ka ngjallur frikë për mundësi të shpërthimeve të ndonjë konflikti entik.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp me Aleksandër Vuçiç, Erdogan tha se është “imperativ që të gjitha palët të frenojnë nga hapat e rrezikshëm ndaj integritetit territorial të BeH-së dhe të gjithë të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme”.

“Pas zgjedhjeve në Serbi, ne duam të mbledhim liderët serbë, kroatë dhe boshnjakë në takim. Me këtë takim, ne duam të bëjmë hapa drejt sigurimit të integritetit territorial të Bosnjës”, shtoi ai.

Presidenca trepalëshe ndëretnike e Bosnjës dhe Hercegovinës.: Anëtari kroat Zeljko Komsic, anëtari serb Milorad Dodik dhe anëtari boshnjak Sefik Dzaferovic. Foto: Reuters

Më herët, mediat raportuan se Erdogan tha se kryeministri shqiptar, Edi Rama, anëtari serb i presidencës së BeH-së, Milorad Dodik, dhe zyrtarë të tjerë rajonalë mbështetën ofertën e tij për ndërmjetësim dhe se Ankaraja do të intensifikojë diplomacinë për zgjidhjen e krizës.

Vuçiç tha në konferencën për shtyp se Serbia është e përkushtuar ndaj integritetit të Bosnjës dhe se ruajtja e paqes dhe stabilitetit në Ballkan është thelbësore, së bashku me “respektimin e dallimeve”.

Ai deklaroi se stabiliteti, paqja, bisedimet dhe respektimi i marrëveshjes së Dejtonit janë thelbësore për BeH=në.

“Më duket se ne e kuptojmë mirë njëri-tjetrin (me Turqinë) për këtë çështje. I thashë presidentit Erdogan se Serbia respekton integritetin e BeH, pasi theksojmë se është e rëndësishme të respektohet integriteti i Republikës Srpska brenda BeH“, tha Vuçiç.

Ai tha se Serbia nuk do të heqë dorë nga kjo politikë, e cila sipas tij është në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit.

“Po gjejmë një gjuhë të përbashkët me Turqinë dhe do të përpiqemi ta gjejmë gjithmonë në të ardhmen”, shtoi presidenti serb.

Javën e kaluar, Vuçiç i bëri thirrje Dodikut që ta kthejë RS-në në institucionet shtetërore të BeH-së, të cilat Banja Lluka e ka bojkotuar që nga mesi i vitit 2021, për shkak të ligjit që shpalli vepër penale mohimin e gjenocidit në Srebrenicë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore