Boterori 2022

Enrique pas eliminimit: Ky është futbolli, një ekip duhet të fitojë


Spanja u eliminua nga Kupa e Botës në fazën e 1/8-ve të finales, duke u mposhtur nga Maroku pas ekzekutimit të penalltive.

Ndeshja përfundoi pa gola, derisa në ekzekutimin e 11-metërshave, spanjollët humbën tri të parat.

Pas ndeshjes, foli trajneri i Spanjës, Luis Enrique, i cili pranoi se skuadra e tij bëri gjithçka mirë, përveç finalizimit, teksa tha se kundërshtarët u shfaqën superiorë vetëm në një pikë, atë të lotarisë së penalltive.

“Ne jemi Spanja dhe duhet ta prezantojmë vendin tonë në të gjithë dimensionet, ndaj i urojmë suksese Marokut për kualifikimin në çerekfinale”, tha fillimisht spanjolli.

“Futbolli është një sport i mrekullueshëm, por pak i çuditshëm, pasi kundërshtari bëri më mirë se ne vetëm te lotaria e penalltive. Dominuam gjithë ndeshjen, por në fund e shohim veten jashtë.

“Tre gjuajtësit e parë i zgjodha unë, por Bono është një portier i madh dhe e tregoi edhe sonte. Keqardhje pasi bëmë shumë mirë, por duhet të presim një tjetër mundësi”, u shpreh Luis Enrique.

Nuk ka munguar as ngacmimi ndaj trajnerit katalan të Spanjës, në lidhje me të ardhmen e tij në stolin e kombëtares, por Enrique shmangu gjithçka me diplomaci.

“Për momentin e vetmja gjë që dua, është të kthehem në shtëpi dhe të takoj familjarët e mi. Tani nuk është momenti, pasi duhet që si fillim të përtyp këtë eliminim. Më pas, javën e ardhshme do të ulemi të diskutojmë”, u shpreh trajneri i Spanjës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore